Shkupi në listën e 10 qyteteve më të ndotura në botë

Shkupi në listën e 10 qyteteve më të ndotura në botë

Ajri në Shkup është i pashëndetshëm mëngjesin e sotëm. Kryeqyteti ndodhet në listën e 10 qyteteve më të ndotura në botë, sipas renditjes së bërë nga IQ Air. Të dhënat e Sistemit Shtetëror të Monitorimit Automatik të Cilësisë së Ajrit të Ministrisë së Mjedisit tregojnë se prania e grimcave PM-10 në ajër është mbi përqendrimin mesatar ditor maksimal të lejuar prej 50 mikrogramë për metër kub, transmeton Portalb.mk.

Sa i përket grimcave të suspenduara PM-2.5, sot në mëngjes nuk mund të gjenden të dhëna për përqendrimin e këtyre grimcave të rrezikshme në ajrin e Shkupit, për shkak se stacionet monitoruese të Ministrisë së Mjedisit nuk ofrojnë të dhëna për lokacionet Qendër, Karposh, Lisiçe. dhe Rektorat.

Sipas IQAir, indeksi i ndotjes së ajrit US AQI në Shkup sot në mëngjes është 158, ndërsa ajri është shënuar si i pashëndetshëm. Prania e grimcave PM-2.5 në ajër është 69.6 mikrogramë për metër kub dhe për kujtesë, përqendrimi maksimal i lejuar i këtyre grimcave të rrezikshme nuk duhet të kalojë 25 mikrogramë për metër kub, që është vlera maksimale e lejuar mesatare ditore.

Sipas matjeve të fundit nga stacionet monitoruese të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mëngjesin e sotëm në ora 8 në Qendër janë matur 143,51 mikrogramë për metër kub si prani e grimcave PM-10. E lartë është ndotja edhe në Karposh, ku mëngjesin e sotëm përqendrimi i grimcave PM-10 ka qenë 105.75 mikrogramë për metër kub.

Në Maqedoni mëngjesin e sotëm ka pasur nivele më të larta të ndotjes së ajrit me grimcat PM-10. Pra, në Prilep mëngjesin e sotëm në ora 8 është matur prania e 156,28 mikrogramë për metër kub të grimcave PM-10. Ndotje shumë e lartë e ajrit është regjistruar edhe në Strumicë, ku janë regjistruar 111.3 mikrogramë për metër kub.

Për sa i përket renditjes së IQAir, duhet theksuar se vetëm qytetet kryesore në botë janë në këtë listë të ndotjes së ajrit. Në Evropë, rekordi për ndotjen e ajrit është Sarajeva me një indeks të ndotjes 235, që përfaqëson nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në botë.

Ndryshe, parashikimi i motit i Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPH) nuk është optimist sa i përket ndotjes së ajrit në ditët në vijim. Në Shkup sot parashikohet mot me diell me mjegull të dobët. Nesër do të jetë me diell në Shkup dhe në vend, por meteorologët nuk parashikojnë erë apo shi. Nga e enjtja pritet intensifikimi i erës.

Autoritetet qeveritare po tregohen të pandërgjegjshme sa i përket mbrojtjes së ambientit, sidomos kur bëhet fjalë për cilësinë e ajrit, thonë organizatat që merren me mbrojtjen e mjedisit në Maqedoninë e Veriut. Këto reagime pasojnë propozimin për buxhetin e vitit 2024 në bazë të të cilit, vetëm 0.8 për qind e buxhetit të përgjithshëm planifikohet për mbrojtjen e mjedisit.

Lajme Vendi