Komuna e Tetovës ka dhënë më së shumti leje ndërtimi për katër vite, krahasuar me shtatë komuna të tjera

Komuna e Tetovës ka dhënë më së shumti leje ndërtimi për katër vite, krahasuar me shtatë komuna të tjera

Komuna e Tetovës ka dhënë numrin më të madh të lejeve të ndërtimit krahasuar me shtatë komuna tjera në Maqedoninë e Veriut, nga viti 2018 deri më 2022. Plani gjeneral urbanistik i Tetovës është shumë i vjetër dhe duhet të ndryshohet. Ndërkaq, Sektori i Urbanizmit në Komunë dhe Inspektorati Komunal ka mungesë të stafit. Këto janë vetëm disa nga gjetjet e hulumtimit “Plane të Përgjithshme Urbanistike (PPU) të vjetruara, ndryshim i shpeshtë i planeve detajore urbanisike (PDU)” i publikuar nga Qendra për Komunikime Qytetare.

Komuna e Tetovës ka plan gjeneral të vjetër 21 vite, të miratuar në vitin 2003 dhe ka përuar dhjetë ndryshime. Sipas të dhënave të dërguara nga komuna, janë miratuar gjithsej 8 plane të detajuara urbanistike.

Gjatë periudhës 2018 – 2022, në Komunën e Tetovës janë dërguar gjithsej 1691 kërkesa për lëshim të lejes për ndërtim, për 67 përqind prej tyre është lëshuar leje për ndërtim, apo për 1073, që e bën këtë Tetovën sikomuna që ka dhënë më së shumti leje ndërtimi.

Në periudhën e njëjtë janë parashtruar gjithsej 2.905 kërkesa për përcaktim të statusit juridik të objektit (legalizim) dhe për 1.466 prej tyre është marrë vendim.

Sipas të dhënave në raport, në Komunën e Tetovës Sektori për Planifikim Urbanistik dhe Menaxhim me Tokë Ndërtimore katë parapara 19 vende pune ndërsa të plotësuara janë vetëm 13, që i bie se përqindja e vendeve të punës të plotësuara është 68 përqind.

Raporti tregon gjithashtu se në Tetovë, Komuna nuk ka udhëheqës të njësisë organizative e cila merret me ndërtimtari dhe urbanizëm dhe se me sektorin përkatës udhëheq person i autorizuar nga kryetari i komunës.

Raporti thekson se në Njësinë organizative për mbikëqyrje inspektuese janë të parapara 9 vende pune nga të cilat vetëm 3 janë të plotësuara apo vetëm 33 përqind.

Numri i inspektorëve të punësuar ndërtimor është 4 kurse nga viti 2018 deri më 2023 në Komunën e Tetovës janë kryer gjithsej 575 mbikëqyrje prej të cilave 53 të rregullta, 473 të çrregullta dhe 49 kontrolluese.

Raporti rekomandon që Komuna e Tetovës të fillojë me procesin e miratimit të Planit Gjeneral Urbanistik.

Hulumtimi në të cilin është përfshirë Komuna e Tetovës analizon praktikat aktuale të tetë komunave në vend në lidhje me planifikimin hapësinor dhe lëshimin e lejeve për ndërtim. Hulumtimi përfshin periudhën kohore prej vitit 2018 deri në vitin 2022 dhe përfshin tetë komuna në Maqedoninë e Veriut, Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Negotinë, Tetovë, Strumicë, Çair dhe Shtip. Qëllimi i këtij hulumtimi është të ulë rrezikun e korrupsionit gjatë procesit të dhënies së lejeve për ndërtim duke promovuar transparencën dhe integritetin e këtyre procedurave.

Lajme Vendi