Gjykata Supreme përcakton arrest shtëpiak dhe masë kujdesi për babain e Vanjës

Gjykata Supreme përcakton arrest shtëpiak dhe masë kujdesi për babain e Vanjës

Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut pranoi ankesën e babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, anuloi masën e caktuar të paraburgimit dhe për të akuzuarin caktoi arrest shtëpiak dhe masë kujdesi.

“Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut e njofton opinionin se pas seancës publike të mbajtur në datën 25.04.2024, Këshilli për Vepra ndëshkuese solli vendim me të cilin ankesa e të akuzuarit A.Gj., e deklaruar përmes mbrojtësit të tij Vlladimir Tufenxhiq, avokat nga Shkupi, është pranuar, ndërsa vendimi i Gjykatës së Apelit Shkup 02.04.2024, është ndryshuar në atë mënyrë që masën e përcaktuar të paraburgimit ndaj të akuzuarit A.Gj. e hoqi  dhe të akuzuarit i caktoi arrest shtëpiak dhe masë kujdesi”, njoftoi Gjykata Supreme.

Seanca e sotme ishte seanca e dytë publike para Gjykatës Supreme lidhur me masën e paraburgimit ndaj babait të Vanjës, pasi në mars të këtij viti Gjykata Supreme e hodhi poshtë si të pabazë ankesën ndaj masës së paraburgimit të Gjorçevskit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Shkup.

Babai i Vanjës dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbimin e vajzës së tij, të miturës Vanja Gjorçevska, e cila ishte shpallur e zhdukur më 27 nëntor dhe u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur edhe Pançe nga Velesi u gjet i vdekur në afërsi të Velesit , i cili u raportua i zhdukur më 24 nëntor.

Lajme Vendi