Këshilltari i BDI-së, Fitim Mustafi, ka drejtuar akuza drejt Komunës së Tetovës për mungesë transparence dhe mos llogaridhënie për mënyrën se si po menaxhojnë me buxhetin e qytetarëve.
Mustafi këto akuza i ka bërë duke u bazuar në një hulmtim të bërë nga Shoqata për Hulumtim dhe Analizë, e quajtur ZMAI, ku Komuna e Tetovës, nga 100 pikë në total, merr vetëm 22 pikë për sa i përket transparencës.
Mustafi mandje ngre dyshime për korrupsion dhe mashtrim nga ana e udhëheqësve të Komunës, duke thënë se mungesa e transparencës aludon vetëm në këto dukuri.
“Pak ditë më parë u publikua indeksi i transparencës së komunave për vitin 2022. Nga aty shihet qartë se Komuna e Tetovës nuk i ka përfshirë grupet e margjinalizuara në procesin e përgatitjes dhe sjelljes së buxhetit. Komuna e Tetovës nuk ju ka dhënë llogari qytetarëve as për përgatitjen e buxhetit, as për proceset e tenderimeve e as për punësimet dhe kontratat. Sipas të dhënave zyrtare Komuna e Tetovës ka transparencë minimale, përfshirje dhe drejtësi të pamjaftueshme dhe llogaridhenie minimale.
Indeksi i transparencës së Komunës së Tetovës për vitin 2022 është vetëm 22 (nga 100). Qytetarët kanë të drejtë të informohen saktë! Të dijnë se ku shkojnë dhe për çfarë shfrytëzohen paratë e tyre!
Prandaj nuk ka mbetur asgjë tjetër për të thënë përveç asaj se: kjo udhëheqësi po mashtron, fsheh të dhëna dhe është e zhytur në korupsion! Këto nuk janë fjalët dhe konstatimet tona, por janë të dhëna të publikuara nga hulumtimi i bërë gjatë vitit 2022 nga ana e Shoqatës për hulumtime dhe analiza, ZMAI.” tha Fitim Mustafi, këshilltar i BDI-së në Komunë të Tetovës.