BDI-ja akuzon Komunën e Tetovës për presione ndaj drejtuesve të shkollave

BDI-ja akuzon Komunën e Tetovës për presione ndaj drejtuesve të shkollave

Këshilltarët e BDI-së në komunën e Tetovës akuzojnë Bilall Kasamin se ushtron presion mbi drejtuesit e arsimit fillor në Tetovë. Sipas Sali Elmazit pikërisht për shkak të presioneve të shumta ditë më parë u detyrua të japë dorëheqje drejtoi i shkollës fillore “Istikball”.

“Dëshmi më e mirë për këtë që e themi është ngjarja e fundit me ish drejtorin e Shkollës Fillore “Istikball”, Zija Ademi, i cili dje e ka pohuar për mediat nacionale dhe rajonale se dorëheqjen e ka deponuar nën presion të madh politik nga përfaqësues të Komunës së Tetovës, duke e vërtetuar kështu edhe letrën e hapur të Ministrit të Arsimit Jeton Shaqiri. E pyesim publikisht Kryeartin e Komunës së Tetovës, se në çfarë cilësie e ka angazhuar Sadat Sulimanin në Komunë, si shef inspektorati apo si njeri që bën presione ndaj punonjësve arsimorë për të zbatuar marrëveshjet politike me partnerët tuaj të koalicionit”, tha Sali Elmazi, Këshilltar i BDI-së.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i komunës. Kreu i komunës Bilall Kasami, hodhi poshtë këto akuza duk i quajtur ato si tentim për t’i mbuluar dështimet e Ministrit të Arsimit.

“Në këtë rast bëhet fjalë për dështim të ministrisë për t’i plotësuar premtimet e veta dhe për të mbuluar këtë dështim ata mundohen të gjejnë problem edhe aty ku s’ka. Po të kishte shkakun arsyen më të vogël, ministri do i kishte marrë ingerencat ashtu siç i mori për gjimnazin edhe pse, për gjimnazin jemi në procedurë gjyqësore sepse i ka marrë pa të drejtë inregerencat. Aspak nuk ka presion, sepse drejtori ka mundur të mos jep dorëheqje dhe ka mundur ta denoncoj, sepse Ministria ka mundësi të veproj, pastaj edhe inspektorati është i ministrisë dhe ka mundur të veprojë”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Ditë më parë, edhe nga Sektori për Arsim i komunës së Tetovës, u shprehën se, deri tek ata, nuk ka arritur asnjë ankesë për ndonjë presion ndaj drejtorit në fjalë, ndërsa kërkuan që nëse ka rast të atillë, i njëjti të denoncohet në organet komunale./Alsat.mk

Lajme Vendi