Obligimi i Parlamentit dhe partive politike të përfaqësuara në të përmes komisioneve adekuate, është ta kompletojnë përbërjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, gjithçka tjetër është improvizim që mund të vendos njollë në procesin zgjedhor, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në Bruksel dhe bëri thirrje që të respektohet ligji për përfaqësimin e partive politike në këtë organ.
“Përbërja e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve, numri i anëtarëve të KSHZ-së është përcaktuar me ligj dhe unë jam njeri, i cili disa herë përsëris, se nuk mund ne të interpretojmë ligje si të dëshirojmë. Obligimi i Parlamentit dhe i partive politike të përfaqësuara në Parlament përmes komisioneve adekuate është ta kompletojnë përbërjen e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve, gjithçka tjetër është improvizim, që mund të vendos njollë në procesin zgjedhor. Për këtë shkak kam qëndrim shumë të qartë, siç u përcaktua në ligjin për përfaqësimin e partive politike, ashtu duhet edhe të respektohet, njëlloj siç duhet të respektohet edhe ligji në pjesën e qeverisë teknike, në pjesën e përbërjes së Qeverisë teknike dhe Maqeodnia e Veriut të shkojë në zgjedhje demokratike më 24 prill dhe më 8 maj”, tha kryeministri Kovaçevski në pyetje të gazetarëve lidhur me akuzat nga VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe opozita shqiptare se pushteti bën opstruksione për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së, i cili duhej të vijë nga radhët e opozitës shqiptare.
Pas emërimit të Krenar Llogës për ministër të Drejtësisë, një vend në KSHZ është i zbrazët, që duhet të plotësohet me përfaqësues të opozitës. Komisioni i Kuvendit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në seancën e djeshme e konfirmoi listën e kandidatëve për anëtar të KSHZ-së dhe ajo duhet të gjendet në seancë plenare.
Në shpalljen e Kuvendit, janë paraqitur pesë kandidatë për anëtar të ri të KSHZ-së. Pushteti dhe opozita kanë hyrë në klinç për kandidatin e Lidhjes Evropiane për Ndryshime – Abdush Demiri, për të cilin, sipas pushtetit, ai nuk i plotëson kriteret e nevojshme, pasi ka qenë sekretar i përgjithshëm i partisë, në çka ashpër reagoi deputeti i opozitës shqiptare, Fadil Zendeli, duke thënë se nuk është saktë dhe se ai ka parashtruar deklaratë të vulosur në noter se më nuk ushtron funksion partiak.