Problemi me mbeturinat në Komunën e Tetovës bëhet çdo ditë e më shqetesues. Disa tonë mbeturina përgjatë rrugës që të çon në teleferikun e Tetovës e mbysin këtë pjesë të qytetit nga ku përhapet një erë e keqe e padurueshme. Situata është e ngjashme edhe në vendbanimet e tjera në Tetovë.
“Vetëm premtojnë zgjedhjen e problemit të plehrave, por fotografia në qytet sa vjen edhe përkeqësohet. Nuk e di nëse duhet të vazhdojmë të jetojmë në këtë qytet që po përballet me gjenocidin ekologjik për shumë më gjatë. Shumë ndotje të ajrit dhe mini deponim ilegale pranë çdo kontejneri”, thotë një banor i Tetovës.
Ndryshe, pas grevës që punëtorët e Ndërmarrjes Komunale të Tetovës mbajtën muajin e kaluar dhe gjatë së cilës kërkuan t’u paguhen detyrimet e prapambetura, komuna vendosi t’u paguajë vetëm një pagë.
Mirëpo, siç thonë punëtorët e komunës së Tetovës, atyre nuk u janë paguar pagat për tre muaj. Për shkak të vonesave të tilla të pagave prej vitesh, ata janë pa sigurime shëndetësore, dhe kryesisht janë të sëmurë dhe të moshuar që punojnë në temperatura nën zero dhe në kushte shumë të këqija. /Telegrafi/