Pendarovski në fjalimin e tij para deputetëve ndër të tjera foli edhe për problemin e korrupsionit me të cilin po ballafaqohet vendi, duke theksuar se po krijohet përshtypja se në përballimin e kësaj dukurie negative janë më të përfshirë faktorët e huaj sesa vetë institucionet.
“Këtu, dua t’i them Parlamentit të ardhshëm atë që kam propozuar disa herë publikisht: menjëherë pas zgjedhjeve, të bëjmë një spastrim edhe të gjyqtarëve edhe të prokurorëve, por, së pari, ndaj nesh – politikanëve. Dhe për këdo, për të cilin nuk ka asnjë shpjegim logjik se si u bë milioner me rrogë shtetërore, menjëherë duhet të vijojë jo vetëm dorëheqja, por procedim penal“, tha kreu i shtetit.
Pendarovski theksoi se me vite, jemi përballur me rezistencë nga disa anë gjatë çdo përpjekjeje për reforma thelbësore në pjesën e sistemit gjyqësor.
“Ne po ballafaqohemi me një problem shumë më të thellë sepse korrupsioni është bërë mënyrë jetese për shumë veta apo siç e përshkroi para pak kohe një ambasador i huaj, bëhet fjalë për mentalitetin e njerëzve i cili duhet të ndryshojë. Kështu, dy aspekte të problemit i theksojnë më tej përmasat e tij“, tha ai.