Ministria e Punëve të Brendshme apelon partinë VMRO-DPMNE që, siç thuhet në reagim, të ndalojë përhapjen e gënjeshtrave, qëllimi i të cilave është diskreditimi i policisë. Ky reagim i MPB-së, siç përcjell KlanM, vjen pas akuzave të partisë opozitare maqedonase, se dikush nga MPB i ka lejuar djalit të komandant Bacit nga Tetova, të arratiset nga arresti shtëpiak.
“E sot përmes një komunikate për media po përhapin gënjeshtra për lidhjen e pretenduar të MPB-së me arratisjen e Naim Samiut edhe pse gjykata është e vetmja kompetente për caktimin e masës së paraburgimit. Në vend që të përhapin gënjeshtra për Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke parashtruar pyetje të paqarta në adresë të gabuar, ata t’i referojnë pyetjet në gjykatën kompetente. Dhe faktet thonë se policia ka vepruar sipas gjithçkaje që ka dalë si vendim nga gjykata. Pas kallëzimit penal nga MPB-ja e Tetovës më 16.08.2023, Samiut i është caktuar masa e paraburgimit aktiv, ndërsa më 29.09.2023, masa e paraburgimit aktiv është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak. nga Gjykata Themelore e Tetovës. Përveç kësaj, informojmë opinionin se ndaj Samiut janë parashtruar 15 kallëzime penale për gjithsej 30 vepra penale, pastaj 4 kallëzime për kundërvajtje, si dhe një njoftim me shkrim në PTHP Tetovë. Një tjetër dëshmi që i mohon gënjeshtrat e VMRO-DPMNE-së”, thuhet në reagimin e lëshuar nga MPB.