Se kush do të vazhdojë ta ndërtojë autostradën Kërçovë-Ohër, kompania kineze “Sinohidro” apo dikush tjetër, Qeveria ende nuk ka njoftuar, shkruan Alsat.
Kontrata me kompaninë kineze skadon më 31 dhjetor, por autostrada është larg përfundimit.
Nga Qeveria thonë se është duke u përgatitur raporti i ekspertëve, e cila më pas duhet t’i dorëzohet Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ministrisë së Transportit dhe Qeverisë.
“Do të dërgohet për shqyrtim në seancë të Qeverisë, pas çka do të vendoset mënyra e ndërtimit në njërën nga seancat në vijim. Ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër është prioritet dhe në këtë drejtim po ndërmerren të gjitha aktivitetet e nevojshme për përfundimin e saj”, thonë nga Qeveria.
Ekspertët thonë se e rëndësishme është përfundimi i menjëhershëm. Për vite me radhë, vozitja në këtë aks rrugor është e pasigurt.
“Jemi të pasigurt vetëm duke dalë nga kjo autostradë. Vetë sinjalistika, si horizontale ashtu edhe vertikale, ka shumë pak efekt në sigurinë e trafikut, sepse ajo që është e instaluar është joefektive…”, tha Ljupço Milkoski – konsulent për dukuri të sigurisë.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha muajin e kaluar se nuk sheh faj tek ai dhe as tek ministrat e tij që autostrada nuk do të jetë gati deri në fund të vitit, siç e siguroi qeveria opinionin. Ai paralajmëroi mundësinë e ndërprerjes së kontratës me kompaninë kineze Sinohydro dhe tha se duhet kërkuar përgjegjësi nga kontraktori dhe realizuesit.
Autostrada Kërçovë-Ohër është duke u ndërtuar për një dekadë të tërë, që nga viti 2014 dhe për të deri më tani janë shpenzuar 600 milionë euro.