Instituti i Mjekësisë Ligjore distancohet nga të gjitha shkrimet në të cilat publikohen informacione jozyrtare, theksojnë nga ky institucion pas publikimit të informacioneve për mënyrën se si është vrarë 14-vjeçarja Vanja Gjorçevska në median elektronike “Shkupi1. mk”.
“Kategorikisht pohojm se ky medium nuk ka marrë asnjë deklaratë apo informacion në formë gojore apo me shkrim nga Instituti. Vetëm një deklaratë e bërë nga personi përgjegjës i Institutit, e cila do të jetë në formën e një regjistrimi audio ose video ose në formë të shkruar, mund të konsiderohet relevante dhe e saktë dhe më pas media mund të citojë se burimi i informacionit është nga Instituti. Ndërkohë që hetimi vazhdon, IML distancohet nga të gjitha shkrimet në të cilat do të publikohen informacione jozyrtare dhe ku burimi i informacionit qëndron Instituti i Mjekësisë Ligjore”, theksojnë nga IML.
Nga aty njoftojnë se pas gjetjes së trupave të të ndjerëve Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovski, Instituti është inkuadruar aktivisht në hetime, si gjatë mbikëqyrjes së vendit ku janë gjetur trupat ashtu edhe në kryerjen e autopsive.
Nga Instituti theksojnë se si mjekë ligjorë, të cilët janë të përfshirë në mënyrë aktive në hetimin e këtij rasti të ndjeshëm, janë të detyruar të respektojnë Ligjin për Procedurën Penale, gjegjësisht nenin 289 i cili i referohet fshehtësisë së procedurës paraprake dhe i cili thotë se “ të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurën paraprake nga prokurori publik apo policia konsiderohen sekrete”, si dhe neni 299 i të njëjtit ligj, i cili i referohet fshehtësisë së procedurës hetimore dhe ku paragrafi 1 thotë se “nëse interesat e procedurës penale e kërkojnë nevojën e ruajtjes së sekretit ose të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të viktimës ose të dyshuarit, prokurori publik do të urdhërojë personin që e merr në pyetje, që merr pjesë në veprimin hetimor ose që shqyrton dosjet, t’i mbajë sekrete të dhënat e caktuara dhe do ta paralajmërojë për pasojat e nxjerrjes së sekretit” dhe paragrafin 2 ku thuhet se “urdhri nga paragrafi (1) i këtij neni shënohet veçmas në procesverbal, gjegjësisht shënohet në dosjet që shqyrtohet, me nënshkrimin me dorë të personit që është paralajmëruar për detyrën e ruajtjes së sekretit”.
“I kujtojmë gazetarët se sipas Kodeksit të gazetarëve ata janë të detyruar dhe duhet të respektojnë dhimbjen personale të familjes, ndërsa të gjitha raportimet për proceset gjyqësore duhet të çlirohen nga sensacionalizmi. Në të njëjtën kohë, gazetarët kanë përgjegjësi të raportojnë në mënyrë të balancuar, me dëshmi të besueshme të konfirmuara nga burime përkatëse dhe gjithmonë duke respektuar dhimbjen personale dhe pikëllimin e njerëzve më të afërt”, theksojnë nga Instituti.
Nga atje kujtojnë se Instituti i Mjekësisë Ligjore vazhdon me të gjitha veprimet e parapara me ligj për këtë rast të cilat janë dhe do të jenë pjesë e materialit dëshmues dhe që do të ndahen me opinionin në atë pjesë në të cilën lejohet me Ligjin për procedurën penale.