Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se disa shtete aleate kanë konfirmuar përfshirjen e institucioneve më të larta shtetërore të Serbisë në sulmin e Banjskës.
Osmani ka thënë se urdhri i sulmit ka ardhur nga presidenti, Aleksandar Vuçiq.
“Ka hetime të përfunduara edhe nga disa shtete aleate që kanë konfirmuar përfshirjen e institucioneve më të larta shtetërore serbe (në sulmin paraushtarak Banjskë). Kjo ka ndodhur patjetër me urdhrin e institucioneve shtetërore të Serbisë. Urdhri ka ardhur nga vetë presidenti serb Vuçiq. Kjo është e dëshmuar” ka thënë ajo.
Tutje, ka bërë të ditur se kanë marrë kërkesë nga aleatët që të presin edhe pak, duke shtuar se nuk i përjashtojnë mundësit që shumë shpejt do të dalin me konkluzione rreth rastit.
Gjatë javës së kaluar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pret që së shpejti Policia dhe Prokuroria të dalin me raport mbi të gjeturat për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe kidnapimit të tre policëve.
Kosova ka përpiluar një raport preliminar, të cilin ia ka përcjellë edhe Bashkimit Evropian. Më 9 tetor, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel ia ka përcjellë zyrtarisht BE-së raportin preliminar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para pak javësh tha se është e nevojshme që të ketë hetim të hollësishëm dhe t’i vendosen sanksione Serbisë, në mënyrë që të mos përsëriten sulmet sikurse ai i 24 shtatorit.
Sulmi në Banjskë ka nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Deri sot, janë identifikuar 38 terroristë që morën pjesë në sulm.