Për sot është paralajmëruar protestë para Komunës së Tetovës kundër vendosjes së kryqit 15 metërsh në tokën e kompleksit të manastirit Shën Naumi në Kodrën e Diellit.
Inspektorati komunal tashmë ka njoftuar se ka një vendim për largim, vendimi është që kryqi të rrënohet së bashku me 5000 objekte të tjera ilegale, pa specifikuar se kur do të ndodhë saktësisht kjo.
Lideri i “Dinjiteti”, Stojançe Angelov, sot u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të dalin sa më pak.
“Bashkëqytetarët tanë sa më pak ta mbështesin protestën e sotme kundër kryqit të Kodrës së Diellit, sepse aq më e madhe do të jetë bindja ime se ka shpresë për pajtim të mëtejshëm dhe (bashkë)jetesë të përbashkët me shqiptarët në Maqedoni. Dita, ora dhe vendi i protestës, pas namazit të xhumasë së mesditës në Tetovë, janë zgjedhur qëllimisht për të tërhequr sa më shumë njerëz. Prandaj, në emër të së ardhmes sonë të përbashkët, u bëj thirrje shqiptarëve që të mos e mbështesin këtë protestë dhe të mos iu nënshtrohen provokimeve që dikush me vetëdije, qëllim dhe këmbëngulje i shkakton për një kohë të gjatë”, komentoi drejtori i Qendrës së Menaxhimit të Krizave.
Ndërkohë, për këtë çështje po vijojnë edhe akuzat ndërmjet subjekteve politike.