Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, në një kumtesë për media thotë se viti i kaluar ka qenë ndër më të këqijtë për qytetarët. Nga kjo parti thonë se për 365 ditë nuk ka qenë kurrë më keq, pasi siç shtojnë, 600.000 qytetarë jetojnë në kufirin e varfërisë, dhe 1 miliard denarë shkojnë në xhepat e Kovaçevskit dhe ministrave të LSDM-së dhe BDI-së për paga më të larta.
“Qeveria e SDS dhe BDI sollën 365 ditë disfata, poshtërime, mjerim dhe varfëri për qytetarët e Maqedonisë. 365 ditë mjerim për popullin. 365 ditë skandale, krim dhe korrupsion. 365 ditë pasurim dhe privilegje për qeveritarët e SDS dhe BDI. E përderisa 600 mijë bashkëqytetarë tanë jetojnë në kufirin e varfërisë, qeveria e SDS-së dhe BDI-së i rritën pagat për 78 për qind”.
“80 milionë denarë në muaj ose gati 1 miliard denarë në vit nga buxheti i shtetit do të shkojnë në xhepat e pushtetarëve për paga më të larta. Stevo Pendarovski, nga paga prej 92.000 denarë, tani me rritjen prej 78 për qind, merr 165.000 denarë ose mbi 2.500 euro në muaj. Talat Xhaferi dhe Dimitar Kovaçevski marrin nga 50 euro më shumë për çdo ditë pune, gjegjësisht Xhaferi merr pagë mbi 166.000 denarë, ndërsa Kovaçevski mbi 156.000 denarë”.