Vazhdohet për 30 ditë paraburgimi për 5 të dyshuarit për vrasjen e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74 vjeçarit Pançe Zhezhovski. Paraburgimi vazhdohet edhe për babain e 14 vjeçares, Aleksandar Gjorçevski, i cili dyshohet për ndihmë gjatë rrëmbimit, si dhe Stefan Dimovskit i cili me makinën e tij e dërgoi të dyshuarin kryesor për vrasjen e dyfishtë Lupço Palevski, nga Serbia, përmes Bullgarisë për në Turqi.
Ndërkohë ditë më parë prokuroria e Turqisë i caktoi paraburgim të ri Palevskit, për të cilin është kërkuar ekstradim në Maqedoni, por procedura pritet të zgjasë më së paku disa muaj. Vanja Gjorçevska u rrëmbye më 27 nëntor në hyrjen e ndërtesës ku jetonte, ndërsa sipas dëshmive të të dyshuarve ajo u vra vetëm dy orë më pas. Trupi i saj i pajetë u gjet në 3 dhjetor në fshatin Brazdë.