Dy shtetas të Kosovës kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në Hungari. Për rastin e vdekjes së dy të rinjve nga Kosova ka njoftuar familjari i tyre Bashkim Hoxha. Ai në një postim në Facebook shkruan se në këtë aksident ka ndërruar jetë djali i vëllait të tij dhe dhëndri i tyre.
Pas rastit tragjik në Hungari ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla .
Gërvalla në një postim në Facebook bën të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani, bashkë me autoritetet hungareze, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin e trupave të tyre.
“Me dhimbje morëm lajmin për vdekjen e dy shtetasve të Republikës së Kosovës, Kushtrim Hoxhaj dhe Jetmir Rexhepi, në një aksident trafiku në Hungari. Sapo kontaktova me familjarë të viktimave dhe iu shpreha ngushëllime për humbjen e më të dashurve të tyre. Njëkohësisht i sigurova për mbështetjen institucionale, teksa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani, bashkë me autoritetet hungareze, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin e trupave të tyre. Ngushëllime familjes Hoxhaj dhe Rexhepi!”, shkruan ajo.