Shtrenjtimin, më së shumti e ndjejnë qytetarët

Shtrenjtimin, më së shumti e ndjejnë qytetarët

Qytetarët ankohen për rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve ushqimore. Thonë se në raport me të ardhurat, çmimet janë shumë të larta dhe kjo i detyron që të shkurtojnë listën e blerjeve dhe të mos ushqehen mirë. Ata i bëjnë thirrje pushtetit që të mendojë për qytetarin e thjeshtë, pasi sipas tyre rritje të të ardhurave vërehet vetëm tek bartësit e funksioneve publike.

“Çmimet janë rritur shumë në raport me të ardhurat. Unë personalisht jam pensionist, shumë rëndë dilet në fund, për ilaçet të mos flasim. Pensioni nuk arrin, 70 për qind vetëm për ilaçe paguajmë. Ushqehemi në mënyrë shumë primitive, nëse më herët kemi marrë nga 800 gram mish, tani marrim nga 300-400 gram. Jemi për të ardhur keq”, tha një qytetar.

“Ndonjëherë ulen, ndonjëherë rriten, varet si i konvenon pushtetit”, theksoi një tjetër qytetar.

“Shtrenjtë, pensionet e ulëta, shumë shtrenjtë, çfarë të bëjmë, pak nga pak të dalim në fund… ”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Çmimet janë të shtrenjta, gjithçka është shtrenjtë, por duhet të blihet, sonte kemi festë, dhe gjithçka është shumë shtrenjtë…… E kemi shkurtuar listën, nuk është siç ishte më herët….Situata e bën të veten për fat të keq, pagat duhet të jenë më të larta, siç rriten për të mëdhenjtë, ashtu edhe për ne të tjerët që jemi qytetarë normal, duhet secili të jetojë”, shtoi një qytetare.

“Çmimet janë shumë të larta, ja të ju tregoj, një lule e Krishtlindjeve që desha ta blej që para një jave, thash të mos e blej se do të thahet deri në Krishtlindje, ishte 350 denarë, sot shkoj, të njejtën lule 500 denarë, them 500 denarë janë shumë nuk do t’i jap….  Është shkurtuar lista në kufirin e mundësive”, tha një qytetare.

“Me siguri inflacioni do të bjerë. Vetëm jeta të jetë më e mirë dhe bashkëjetesa”, shtoi një qytetar.Ajnur Bafqari

 

Lajme Vendi