Sektori i ndërtimit nuk po zhvillohet në asnjë vend evropian si në Shqipëri.
Eurostat, në një raport të fundit – ka matur sektorin e ndërtimit për gjithë Evropën.
Kjo matje bëhet përmes vlerës së shtuar bruto të gjeneruar nga ky aktivitet ekonomik si pjesë e VSHB-së totale (prodhimi në ekonomi pa përfshirë taksat).
Për Bashkimin Evropian, referuar raportit, kjo përqindje ishte midis 5 dhe 6% në periudhën 2010-2022.
Treguesi ishte më i larti në 5.8% në 2010, duke rënë në 5.1% në 2014-2017 dhe më pas duke u rritur përsëri për të arritur në 5.5% në 2020, 5.4% në 2021 dhe 5.5% 2022.
Midis shteteve anëtare, pjesa e VSHB në ndërtim ra në 14 shtete anëtare midis viteve 2010 dhe 2022, me uljen më të madhe që u shënua në Spanjë, Bullgari dhe Qipro.
Gjatë kësaj periudhe, ndër vendet anëtare me një peshë në rritje të sektorit të ndërtimit Hungaria, Gjermania dhe Lituania treguan rritjen më të lartë.
Në vitin 2022, shtetet anëtare me përqindjet më të mëdha ishin Austria (7.3%), Finlanda dhe Rumania (të dyja 7.0%).
Ndërkohë, treguesi është shumë më i lartë për Shqipërinë.
Në vitin 2022, sipas Eurostat, ndërtimi në Shqipëri zinte 11.1% të vlerës së shtuar bruto, më e lartë në Evropë dhe dy herë më e lartë sesa mesatarja e BE-së.
Shqipëria mund të jetë një vend në zhvillim dhe është përballuar me një tranzicion të fortë demografik, por në vendet e tjera të rajonit, ku është kaluar një cikël i tillë, ndërtimi zë një peshë shumë të ulët në ekonomi.
Maqedonia e Veriut e kishte këtë tregues në 6.2% të VBSH-së në 2022, Mali i Zi, që është një vend po i orientuar nga turizmi në 4.8% të VBSH-së, Serbia 6.6%, Bosnjë Hercegovina 5.2%.
Sakaq, i vetmi vend që mund të shihet se përafrohet është Kosova, që po shfaq të njëjtën tendencë si Shqipëria me ndërtime të larta në kryeqytet e rrethina.
Ndërtimi zinte në Kosovë 10.7% të vlerës së shtuar bruto në vitin 2022.
Treguesi për Shqipërinë në vitin 2022 ishte më i larti që nga viti 2014, kur zbriti në 9.9% të VBSH-së, nga gati 15% që kishte kulmuar në vitin 2010.
Ndërtimi filloi rënien që e kishte nisur pas viteve ‘90, si rrjedhojë e zhvendosjeve të brendshme të popullsisë, ku një pjesë e konsiderueshme e familjeve iu drejtuan zonës së qendrës.
Por pas vitit 2014 iu rikthye rritjes, i udhëhequr kryesisht nga ndërtimet në Tiranë dhe në zonat turistike.
Ndërkaq tendenca pritet të vijojë veçanërisht në kryeqytet.
Në vitin 2022 u dha një rekord i lejeve për ndërtime rezidenciale në Tiranë, prej rreth 1.8 milionë metra katror, sipas INSTAT.
Në vitin 2023, bashkia Tirana vlerëson në projektbuxhet se pret të mbledhë 7 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, nga 5.5 miliardë lekë që ishte plani fillestar.
Referuar bashkisë, “realizimi i të ardhurave nga kjo taksë tejkalon planin e miratuar si rrjedhojë e aplikimeve përtej parashikimeve”.
“Në periudhën 2024-2026 pritet të arkëtohen rreth 6.5 miliardë lekë në vit nga kjo taksë, në një sinjal që Bashkia parashikon të vijojë me dhënien vrullshme të lejeve të ndërtimit”.
Kjo tendencë po vjen në një kohë që tendenca e popullsisë është drejt tkurrjes, për shkak të emigracionit të lartë që po vazhdon dhe plakjes natyrale të popullsisë.
Në vitin 2022, shtesa e popullsisë në Tiranë ishte më e ulëta historike, me më pak se 6 mijë persona, nga rreth 20 mijë disa vjet më parë.
Dhe të huajt janë bërë një faktor i rëndësishëm në blerjet e pasurive të paluajtshme.
Mirëpo, ritmi i tyre pritet të bjerë, pas shtrenjtimit të vazhdueshëm të çmimeve që po ngushton diferencën me vendet e tjera të rajonit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin e vitit 2023 arritën vlerën e 222 milionë eurove, me një rënie të lehtë me 1.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (AP)