Në një ditë, qytetarët harxhojnë 1.7 milionë euro për bixhoz

Tre kompanitë me të hyra më të larta, Pro-Beting DOO (146.130.304 euro), Sport Life Treid DOO (82.286.864 euro) dhe Kazinos Austria DOO (81.326.025 euro), kanë paraqitur që kanë realizuar më pak se 1% profit nga të hyrat e përgjithshme. Kjo shkallë e profitit nuk është e përafërt as me Lotarinë shtetërore, por as me profitabilitetin e kompanive të ngjashme në Evropë. Prandaj, Instituti IDEA ngre dyshimet për mundësinë e evazionit fiskal, por edhe të shpëlarjes së parave.

Varshmëria nga bixhozi në vendin tonë ka shkaktuar shifra shqetësuese dhe është një problem serioz. Sipas të dhënave të fundit që janë publikuar – vetëm në vitin 2022, qytetarët e vendit kanë shpenzuar mbi 690 milionë euro në lojëra të fatit. Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike-IDEA në panelin e diskutimit të organizuar sot ka prezantuar hulumtimin mbi numrin dhe të hyrat e kompanive që organizojnë lojëra të fatit. Të dhënat tregojnë që në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë 1416 pika në të cilën qytetarët mund të luajnë lojëra të fatit, apo mesatarisht 18 pika për çdo komunë, duke përjashtuar lojërat e fatit online. Ky numër tregon për prezencë jashtëzakonisht të madhe të pikave ku mund të luhen lojëra të fatit, njëkohësisht edhe ekspozim të vazhdueshëm dhe qasje shumë të lehtë për secilin qytetar në lojëra të fatit.

“Ilir Osmani nga Instituti IDEA, gjatë prezantimit të hulumtimit, tha se sa i përket të hyrave totale të 56 kompanive për vitin 2021, mjetet arritën në 556 milion euro, ndërsa ato u rritën në 690 milion euro në vitin 2022, apo një rritje prej 21 për qind. Përkthyer në ditë, kjo i bie që për çdo ditë – gjatë vitit 2022, kompanitë e lojërave të fatit kanë qarkulluar nga 1.7 milion euro.

“Këto të hyra janë kryesisht të hyra të cilat janë realizuar përmes lojërave të fatit, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që lojërat e fatit të jenë përdorur si mekanizëm i shpëlarjes së parave. Ajo çfarë i ngritë edhe më shumë dyshimet janë profitet jashtëzakonisht të ulëta të këtyre kompanive. Pra, tre kompanitë me të hyra më të larta, Pro-Beting DOO (146.130.304 euro), Sport Life Treid DOO (82.286.864 euro) dhe Kazinos Austria DOO (81.326.025 euro), kanë paraqitur që kanë realizuar më pak se 1% profit nga të hyrat e përgjithshme. Kjo shkallë e profitit nuk është e përafërt as me Lotarinë shtetërore, por as me profitabilitetin e kompanive të ngjashme në Evropë. Prandaj, instituti IDEA ngre dyshimet për mundësinë e evazionit fiskal, por edhe të shpëlarjes së parave dhe njëkohësisht rekomandon kontrolle të shtuara nga institucionet shtetërore ndaj këtyre kompanive”, tha Osmani.

Sipas tij, distanca prej 500 metrash nuk do të ketë ndikim të madh, meqë marketingu do të vazhdojë t’i ekspozojë të rinjtë ndaj lojërave të fatit si dhe lojërat e fatit online do të japin qasje edhe më të madhe sesa të qenurit afër shkollave. “Po ashtu, liberalizimi i tregut konkurrenca e shtuar në mes të kompanive të lojërave të fatit do ta thellojë edhe më shumë problemin meqë kompanitë do të garojnë me njëra tjetrën për më shumë konsumatorë, pra që të krijojnë sa më shumë njerëz të varur nga bixhozi. Prandaj, instituti IDEA përkrah versione më strikte, deri në masën e mbylljes totale të kompanive të lojërave të fatit sipas modelit të Kosovës”, tha Osmani.

Në panelin e diskutimit u shqyrtua edhe propozim-ndryshimi për Ligjin për lojërat e fatit, me çka instituti IDEA paraqiti rekomandimet mbi zgjidhjen optimale të problemit me lojërat e fatit. Ata vlerësojnë se propozim-ndryshimi në pjesën e kufizimit të numrit pikave, të cilat mund të hapen me një licencë, nuk i sheh këto ndryshime të mjaftueshme për adresim efektiv të problemit me lojërat e fatit. Sipas hulumtimit, numri total i kompanive që organizojnë lojëra të fatit është 36, ndërsa numri i filialeve arrin deri në 1416.

Nga 55 kompani ekzistuese, 15 kompani kanë realizuar të hyrat më të larta në industrinë e lojërave të fatit. Këto kompani në vitin 2022 kanë realizuar 90 për qind të të gjithë të hyrave në tërësi të industrisë së lojërave të fatit, një rënie prej dy pikë përqindje nga viti 2021. Tre kompanitë më të mëdha janë Pro-Beting DOO, Sport Life Treid DOO dhe Kazinos Austria DOO. Rritjen më të madhe të të hyrave krahasuar me vitin 2021 e kanë realizuar kompania Pro-Beting DOO me rritje prej 52 milionë euro apo 55.83 për qind të të hyrave krahasuar me vitin 2021.

Nga të dhënat e mbledhura dhe të analizuara më lartë mund të konstatojmë që bixhozi në Maqedoninë e Veriut është fenomen jashtëzakonisht shumë i përhapur, gjë që tregohet në shumat mbi gjysmë miliardi euro të hyra të kompanive të cilat organizojnë lojëra të fatit, apo mesatarisht 376.30 euro për kokë banori në vit. Nga të hyrat e larta dhe profitet jashtëzakonisht të ulëta, mund të konstatojmë që ekzistojnë dyshime të thella mbi kredibilitetin e raportimeve të profitit nga ana e kompanive të lojërave të fatit. Prandaj, duhet të realizohen kontrolle të mirëfillta financiare në mënyrë që të evitohet evazioni fiskal. Në panelin e diskutimit morën pjesë deputeti Halil Snopçe, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, profesori universitar Ali Pajaziti dhe kryetari i Lëvizjes Anti-bixhoz, Xhelal Abdiu. (koha.mk)

Vendi