Edhe pse ende nuk janë krijuar rrethana që një kandidat shqiptar të fitojë zgjedhjet presidenciale, megjithatë zgjedhja e kandidatit të duhur presidencial, luan rol të madh në rezultatin e zgjedhjeve. Zgjedhja e një kandidati të qëlluar është me rëndësi të veçantë në zgjedhjet preidenciale që po vijnë, për shkak se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahet dy javë para zgjedhjeve parlamentare, kurse raundi i dytë përputhet në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj. Kjo ka detyruar partitë politike të fillojnë “gjahun” për kandidatin më të përshtatshëm që mund të gjejnë, sepse janë të madha gjasat që varësisht nga cili kandidat për president do të përkrahin, votuesit të përcaktohen edhe për atë se cilës parti politike ose koalicion do të ja japin votën në zgedhjet parlamentare. Zyrtarisht emrat e kandidatëve pritet të bëhen të ditur në muajin shkurt, por disa emra veçmë kanë filluar të qarkullojnë në opinion.
Dy ose tre kandidatë shqiptarë?
Hapin e parë në këtë drejtim e ka bë koalicioni opozitar shqiptar, respektivisht Lidhja Evropine për Ndryshim (LEN), e cila para disa muajve ka bë të ditur se do të ketë kandidatin e vetë presidencial. Nga ky koalicion kanë ardhur edhe informatat tmë konkrete deri tani në kampin shqiptar se kush mund të jetë kandidat eventual për president. Fillimisht është përmendur emri i deputetit të VV-së, Avni Dehari, e më pas edhe më konkretisht emri i ish kryetarit të Gostivarit, Rufi Osmani.
Dehari është me prejardhje nga Sllupçani i Kumanovës dhe emër mjaft i respektuar edhe në skenën politike në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Si profil i tillë, ai do të ishte kandidat perfekt për president, në rast se nuk ka pengesa ligjore, para së gjithash rreth kushtit për qëndrim të vazhdueshëm në Maqedoninë e Veriut. Poashtu emër i respektuar është edhe Rufi Osmani, politikani i cili u sakrifikuar për mbrojtjen e flamurit shqiptar në vitet e vështira të 90-ta, respektivisht në vitin 1997, duke mos hequr dorë nga flamuri edhe me çmimin e shkuarjes në burg.
Në BDI ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse do të shkojnë ose jo me kandidat presidencial, ose do të përkrahin që në raundin e parë kandidatin e partnerit të koalicionit, LSDM. Mirëpo Zhurnal mëson se nën inercionin e opozitës edhe BDI do të dalë me kandidatin e vetë, kurse kandidatin e LSDM-së mund ta përkrah në raundin e dytë. Në BDI janë tejet të mbyllur kur bëhet fjalë për emrat e mundshëm për kandidat eventual për president, por si emër që shquhet për momentin është emri i Talat Xhaferit, kryetar aktual i Kuvendit, i cili më 28 janar pritet të marë “timonin” e qeverisë teknike 100 ditore.
Në ASH shumçka do të varet se si do të paraqitet kjo parti në zgjedhjet parlamentare. Nëse ASH do të shkon në koalicion me BDI-në, me siguri do të kenë një kandidat të përbashkët për president. Nëse garon në koalicion me opozitën, sërish do kenë kandidat të përbashët për president shteti. E në rast se ASH shkon e vetme në zgjedhje, atëherë ka gjasa që kandidat i saj të jetë ish kryetari i partisë, Zijadin Sela edhe pse lakohen edhe emra tjerë, në mesin e të cilëve edhe emri i kryetarit aktual të partisë, Arben Taravari, i cili është edhe kryetar i komunës së Gostivarit.
LSDM me 15 emra, VMRO-DPMNE me 3 emra
Sipas anketave aktuale, gjasa më të mëdha për fitore në kampin maqedonas i jepen VMRO-DPMNE-së së Hristijan Mickovskit. Nga kjo parti për momentin përmenden tre emra më seriozë si kandidatë të mundshëm. Emri i parë është i profesoreshës dhe deputetes Gordana Siljanovska, e cila ishte kakndidate edhe në zgjedhjet e vitit 2019 përballë presidentit aktual, Stevo Pendarovski. Emri i dytë është ai i kirurgut të njohur Sashko Kedev, që poashtu ka qenë kandidat për president në të kaluarën, përballë Branko Cërvenkovskit. Emri i tretë është profesori Aleksandar Spasenovski. Ai ka qenë deputet i VMRO-DPMNE-së në vitet 2011-2014. Edhe pse kanë qenë vite mjaft të vrullshme sa i përket raporteve ndëretnike, Spasenovski ka mbajtur kryesisht qëndrim të moderuar, pa u kyçur asnjëherë në polemikat e ashpra.
Nga ana tjetër, rreth pesëmbëdhjetë emra gjenden në listat e propozimeve për kandidat për kryetar të shtetit në kuadër të organizatave komunale të LSDM-së, e në mesin e tyre ka edhe politikanë aktualë dhe të dikurshëm, si dhe ish bartës të pozitave publike dhe partiake. Siç mëson “Sloboden Peçat”, presidenti aktual Stevo Pendarovski, kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, sekretari i përgjithshëm i partisë Mile Zeçeviq, ministrat Slavjanka Petrovska dhe Oliver Spasovski, pastaj Radmila Shekerinska, Gjorgi Spasov. janë anketuar në organizatat komunale të partisë.
Nga LSDM-ja bëjnë të ditur se të gjithë emrat që do të regjistrohen do të testohen përmes anketave. Bazuar në analizat që do të përfshijnë rezultatet e sondazheve të opinionit publik, do të merret vendimi përfundimtar, transmeton Zhurnal. LSDM-ja tashmë është duke testuar se si qënfrojnë kandidatë të caktuar në mesin e qytetarëve dhe sondazhet do të vazhdojnë të zhvillohen. Interesant është fakti se emrat e Denko Maleskit dhe Ivon Veliçkovskit janë përfshirë në disa nga sondazhet e brendshme partiake të kryera nga socialdemokratët.
Sipas burimeve nga LSDM, kjo procedurë e përzgjedhjes brenda partisë mundëson përzgjedhjen e kandidatit me potencialin më të madh koalicionues, por për momentin nuk ka informacione nëse kandidati i përzgjedhur do të jetë edhe kandidat i koalicionit. “Përvoja e zgjedhjeve të kaluara presidenciale tregon se receta e suksesit dhe e fitores në zgjedhje, përveç profilit të kandidatit, është pikërisht potenciali i partive për një koalicion të gjerë. Siç qëndrojnë gjërat deri tani, kandidati i LSDM-së i mbështetur nga një koalicion potencialisht i gjerë pro-evropian ka mbështetjen më të madhe në sondazhe”, thonë në LSDM. Megjithatë, mbështetja eventuale e kandidatit të LSDM-së nga një koalicion më i gjerë do të varet nga marrëveshjet politike.