Pas borës që ra të shtunën dhe valës së ftohtë që goditi dje Tetovën, rrugët dhe trotuaret e Tetovës ngrinë dhe për 24 orë në Repartin e Ortopedisë të Spitalit klinik 22 banorëve iu është dhënë ndihma mjekësore për thyerje të këmbëve apo krahëve, transmeton Portalb.mk nga SDK.
“Ka rritje të numrit të të lënduarve për shkak të kushteve dimërore. Të dielën për 24 orë kemi shënuar 22 fraktura, ndërsa sot nga ora 08:00 deri në orën 12 pasdite kemi regjistruar shtatë persona me fraktura të gjymtyrëve. Lëndimet janë kryesisht në parakrahët e duarve ose në këmbë. Të lënduarit janë nga të gjitha kategoritë e moshave, nga fëmijët e deri te të rriturit”, tha doktor Ertan Rustemi, shef i Departamentit të Ortopedisë në Spitalin Klinik në Tetovë.
Komuna e Tetovës këto ditë njoftoi se rregullisht pastrojnë rrugët dhe trotuaret nga bora që ka rënë të shtunën.
“Janë pastruar vendkalimet për këmbësorë dhe trotuaret përgjatë Bulevardit “Iliria” ndërsa ky aktivitet do të vazhdojë edhe nëpër rrugët e bulevardet tjera për të mundësuar lëvizje të lirë dhe pa pengesa”, njoftoi Komuna e Tetovës.
Përveç komunës, pastrimi i borës dhe akullit është edhe përgjegjësi e pronarëve të objekteve tregtare dhe banorëve të njësive të banimit, të cilët duhet të pastrojnë zonën përpara dyqaneve të tyre apo hyrjet e shtëpive apo ndërtesave, por rrallë kush ndërmerr aktivitete për pastrimin e borës dhe akullit.