Zëvendësministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë sot se Kushtetuta e Kosovës ose duhet të zbatohet në tërësi ose të mos zbatohet fare.
Ai këtë koment e bëri në një konferencë për media pas takimit me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak.
“Nuk ka logjikë, në njërin rast të ketë insistim të bashkësisë ndërkombëtare që Kushtetuta të implementohet në tërësi, siç është rasti i tokës për Manastirin e Deçanit, pastaj kur është puna te neni 11 i Kushtetutës që thotë se ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë të njëjtit miq të thonë po këtë mos e zbatoni…”, tha Bislimi.
Ditë më parë u raportua se Gjermania vazhdon t’ia kërkojë Kosovës zbatimin e obligimeve të ndjeshme që i ka shtyrë me vite, për të mundësuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Ambasada gjermane në Prishtinë ka thënë për mediet se këtu veçanërisht përfshihet zbatimi i vendimit për pronën e Manastirit të Deçanit ose themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, në dhjetor 2023 Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila thekson se e vetmja valutë e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar të pagesave në Republikën e Kosovës është euro dhe me këtë rrjedhimisht nga 1 shkurti ndalohet dinari serb.
Pas kësaj kanë reaguar nga BE-ja dhe SHBA, duke kërkuar që të shtyhet zbatimi i vendimit.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë ai te banorët për të cilët vlen.
Ndërkaq, ambasadori i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se është shqetësuese që ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores.
“U takova me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismailin dhe diskutuam rregulloren e ndryshuar për operacionet me para të gatshme, e cila gjithashtu rregullon procesin e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera që dyshohet se janë të falsifikuara. E pyeta edhe se si do të zbatohet pasi që pritet të ndikojë veçanërisht në jetesën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. Shpreha shqetësimin për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores”, ka shkruar Szunyog.