Talat Xhaferi pritet të votohet si kryeministër i parë shqiptarë në historinë e Maqedonisë së Veriut. Ai do të jetë kryeministër në tre muajt e ardhshëm, deri në përfundimin e zgjedhjeve.
Karrierën politike Talat Xhaferi e nisi në vitin 2002, pas përfundimit të luftës në Maqedoni, kur kandidohet për deputet në Kuvend nga radhët e partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim.
Vitin e njëjtë zgjidhet edhe për deputet në Kuvend dhe koordinator i grupit parlamentar të BDI-së, ndërsa mandatin e vet e përfundon më 24.12.2004 kur emërohet për zëvendësministër i Mbrojtjes, në të cilin funksion ka qenë deri në vitin 2006.
Në vitin 2008, përsëri zgjidhet deputet në Kuvend nga radhët e BDI-së, dhe gjatë mandatit të vet aktiv si deputet ka qenë anëtar i: Këshillit të Kanalit të Kuvendit, Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Komisionit të Financimit dhe Buxhetit, zëvendës-anëtar i: Komisionit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore dhe Komisionit të Çështjeve të Rregullores dhe Mandatit.
Ky mandat i Xhaferit karakterizohet edhe me aktivitete të shumta ndërkombëtare në cilësinë e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), në organizim të të cilit u realizua edhe Ros-Rot seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Shkup.
Nëpërmjet Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Mbretërinë e Suedisë, Grupit Parlamentar të Kuvendit për bashkëpunim me Parlamentin e Austrisë, Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës në rolin e anëtarit, Xhaferi ka pasur pjesëmarrje aktive edhe në bashkëpunimin bilateral të Kuvendit me parlamentet përkatëse.
Në vitin 2011, përsëri zgjidhet për deputet në Kuvend. Gjatë këtij mandati, Xhaferi e ktheu vëmendjen e opinionit kur me mbajtjen e fjalimeve të gjata, e bllokoi miratimin e Ligjit të atëhershëm kontestues për mbrojtësit.
Ky mandat i deputetit i përfundon më 18 shkurt 2013, kur emërohet për ministër i Mbrojtjes. Në një deklaratë për mediumet, gjatë pranim dorëzimit të funksionit të ministrit të Mbrojtjes, Xhaferi deklaroi se qëllimi i tij do të jetë “forcat e armatosura të bëhen simboli i bashkëjetesës, i tolerancës dhe respektimit të dallimeve”.
Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Marrja e kësaj pozite pasoi me ngjarjet më të errëta në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Kjo ditë njihet edhe si “e enjtja e përgjakshme”, pasi gjatë procesit të votimit, në Kuvend u futën protestues të dhunshëm të cilët sulmuan deputetët dhe gazetarët.
Më 21 gusht 2020, pas mandatit të tij të gjashtë si deputet, përsëri e fiton besimin e shumicës të deputetëve të Kuvendit dhe zgjidhet kryetar i dhomës ligjvënëse.
Në mandatin e fundit, Xhaferi ka qenë kryetar i Komisionit të Çështjeve Kushtetuese, shef i Delegacionit të Kuvendit në Unionin Interparlamentar (UIP), shef i Delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (AP PBEJL).
Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze. Është i martuar me zonjën Mereme Xhaferi, baba i Barletit dhe Besianës.