Krerët opozitarë në Kosovë kanë uruar Talat Xhaferin i cili sot mori pozitën e kryeministrit të Qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka uruar Talat Xhaferin për postin e ri si kryeministër në Qeverinë e re teknike të Maqedonisë së Veriut.
Krasniqi ka uruar të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për përpjekjet e tyre shekullore për barazi, duke thënë se ato po kulmojnë me kryeministrin e parë shqiptar në historinë e këtij shteti.
“Sot, në këtë ditë historike, të krenarisë dhe emocioneve të larta, i uroj mikut tim, Talat Xhaferit, emërimin si Kryeministër i Qeverisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sot, i uroj të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që përpjekjet e tyre shekullore për barazi, drejtësi e faktorizim, po kulmojnë me kryeministrin e parë shqiptar në histori të këtij shteti. Sot, mbi të gjitha, është dita për të përgëzuar edhe liderin e shqiptarëve në këtë shtet, heroin e luftës dhe paqes, Ali Ahmetin, i cili, me maturinë dhe vizionin e tij luajti rolin kryesor në ngritjen e shqiptarëve dhe realizimin e kësaj të arriture historike”, ka shkruar ai në Facebook.
Krasniqi ka shtuar se bazuar në eksperiencën, përkushtimin dhe përgatitjet e tij, Xhaferi do të jetë kryeministër i drejtë dhe kredibil për qytetarët në këtë vend gjatë mandatit të tij.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ky është një fillimvit i mbarë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për vet shtetin dhe mbarë rajonin.
“Zgjedhja e Talat Xhaferit, si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë Veriore përbën lajmin më të mirë për të ardhmen e shqiptarëve atje dhe për shtetin tonë fqinj. Mikut tim Talat Xhaferi, sikurse kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i uroj përzemërsisht për këtë të arritur historike, duke qenë të bindur se e ardhmja jonë e përbashkët është në Bashkimin Evropian, në NATO dhe mekanizma tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar”, ka shkruar ai.