Multimilioneri Elon Musk njoftoi implantimin e parë të suksesshëm të një mikroçipi në trurin e njeriut nga kompania e tij Neuralink.
Në një postim në X (ish-Twitter), ai tha se operacioni u zhvillua të hënën dhe se pacienti është në gjendje të mirë. Musk tha gjithashtu se mikroçipi i parë i Neuralink quhet Telepathy dhe do të lejojë kontrollin e telefonit ose kompjuterit tuaj, dhe përmes tyre pothuajse çdo pajisje, vetëm me një mendim.
“Përshtatësit e hershëm do të jenë ata që nuk mund të përdorin gjymtyrët e tyre”, vazhdoi ai. “Imagjinoni sikur Stephen Hawking të mund të komunikonte më shpejt se një daktilografist apo një drejtues ankandi. Ky është qëllimi”, theksoi ai.
Neuralink, e cila synon të krijojë ndërfaqe tru-kompjuter (BCI), filloi të rekrutojë pacientë njerëz për provën e saj të parë klinike vjeshtën e kaluar, pasi mori dritën jeshile nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA. Në atë kohë Neuralink raportoi se njerëzit që kanë kuadriplegji për shkak të dëmtimit të shtyllës kurrizore ose sklerozës anësore amiotrofike (ALS) mund të jenë të pranueshëm për studimin.
Detajet rreth pacientit nuk janë publikuar ende, por autori Ashley Vance, i cili shkroi biografinë e vitit 2015 Elon Musk: Tesla, SpaceX dhe kërkimi për një të ardhme fantastike, tha në një raport të Bloomberg se një kandidat ideal për provën e parë njerëzore të Neuralink ishte një i rritur nën 40 vjeç, katër gjymtyrët e të cilit janë të paralizuar.
Vance shpjegoi se duhen vetëm disa orë që një kirurg të kryejë një kraniotomi dhe 25 minuta të tjera që një robot të fusë çipin në rajonin e trurit.
Musk nuk ndau asnjë detaj tjetër rreth procesit, por tha se rezultatet fillestare duken shumë inkurajuese dhe thotë se teknologjia një ditë mund t’i lejojë njerëzit të përjetojnë realitete të reja në jetën e tyre.