India është aktor i diskutueshëm politik në kontekstin e marrëdhënieve diplomatiko-politike të ndërtuara me aktorë të nivelit të njëjtë politik, por edhe në mjedisin kombëtar politik ku diskutimi kundërshtues mbi temën e të drejtave të njeriut është objekt i një diskutimi ndërkombëtar – jo vetëm në nivel mediatik. Por, i tilli tejkalohet në kontekstin e marrëdhënieve politike ndërshtetërore në koherencë me sfidat që vendosin në diskutim ligjshmërinë e rendit botëror. Përtej një rezolute të miratuar në korrik 2023 nga Parlamenti Evropian mbi situatën në Mianmar, e njëjta bën thirrje për një dialog të hapur BE-Indi në çështjet e të drejtave të njeriut, duke mbetur në koherencë me shqetësimet e vazhdueshme mbi çështjet e të drejtave të njeriut.
Qeveria e Indisë ka reaguar duke cilësuar situatat përkatëse si çështje të brendshme të vendit dhe në të njëjtën kohë ka konsideruar ndërhyrjet e Indisë si shërbim shtetëror kombëtar në mbrojtje të stabilitetit. Një aktor i rëndësishëm si India është në fokusin e dialogut politik të ndërmarrë nga liderë të ndryshëm botërorë, në funksion të përballimit të sfidave të reja në nivel botëror – vendi është anëtar i organizatave të ndryshme, varësisht faktit që të njëjtat janë në thelb në antagonizëm politik me njëra tjetrën. BRICS është njëri shembull, por QUAD mbetet kundërshembulli i së parës; dy aleancat e përmendura më lartë nuk shënojnë një mungesë serioziteti politik të Indisë, as paqartësi politike të së njëjtës, por interes politik pragmatik i shpërfaqur në boshtin e drejtimit të politikës së jashtme të vendit si një “urë ndërlidhëse politike mes Veriut dhe Jugut”. India konsiderohet në grupin e quajtur të “fuqive të mesme”, ku të njëjtët dallohen si “shtete të lëkundura” në kontekstin e aleancave në raport me ShBA-në apo dhe pozicionit të tyre mbi ngjarje të ndryshme – si e tilla e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Në grupin e këtyre shteteve, të quajtura pjesë të Jugut Global, gjithashtu pjesë të G-20-ës, ku përfshihen India, Brazili, Afrika e Jugut, Indonezia, Arabia Saudite dhe Turqia. India mbajti presidencën e G-20-ës gjatë vitit 2023, organizëm ku bëjnë pjesë ShBA-ja, Kina dhe Rusia dhe vendi organizoi samitin përkatës ku varësisht kundërshtive mes shteteve pjesë marrëse, u miratua një deklaratë e përbashkët në frymën dhe vizionin e politikës së jashtme të Indisë. Viti 2024 është vit zgjedhor në një numër të madh të vendeve të botës. India do të zhvillojë zgjedhje të rregullta parlamentare në maj 2024, në një skenë të polarizuar politike ku spikat përballja politike mes partisë në pushtet Bahratia Janata (BJP) dhe Kongresin Kombëtar Indian – partia kryesore e opozitës. Varësisht rezultatit zgjedhor në majin 2023m në rajonin jugor Karnataka ku opozita fitoi zgjedhjet, partia në pushtet shfaqet e favorizuar për zgjedhjet e 2024-ës ku konfirmimi i kryeministrit Modi në një mandat të tretë do të shënonte vazhdimësinë dhe konsolidimin e kursit të politikës së jashtme të Indisë.
India shënoi festimet e Ditës së Republikës përmes një parade madhështore, që synoi të përcillte mesazhe të rëndësishme në nivel ndërkombëtar – përkatësisht mbi fuqinë ushtarake të vendit, shumëllojshmërinë e kulturave, zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e rolit të grave në shoqëri. Në të njëjtën kohë, Dita e Republikës u festua në frymën e entuziazmit patriotik kombëtar në frymën e mesazheve politike të kryeministrit Modi, mesazhe të vazhdueshme në koherencë me rritjen e fuqisë së vendit, përkatësisht në rritje ekonomike, ulje të papunësisë, ulje të varfërisë, rritje të klasës së mesme të shoqërisë dhe në fuqinë thelbësore demografike të vendit – zyrtarisht vendi me popullsinë më të madhe në botë.
Kryeministri Modi ka parashtruar qartë qëllimin kombëtar mbi renditjen e Indisë si një vend i zhvilluar deri në vitin 2047, vit që do të shënonte 100 vjet të Ditës së Republikës. Dita e Pavarësisë së Indisë u përshëndet përmes pjesëmarrjes nga presidenti i Francës, Macron, një vijimësi e një marrëdhënieje politike në konsolidim, ku dëshmi e rëndësishme mbetet pjesëmarrja e kryeministrit Modi në festën e Bastijës në korrik 2023 dhe takimet e zhvilluara mes dy liderëve në samitet përkatëse pjesëmarrës – si një moment i rëndësishëm i fuqizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me interes të njëjtë politik, ku Presidenti Macron e ka cilësuar Indinë si “gjigant në historinë e botës që do ketë një rol përcaktues në të ardhmen tonë”.
Përtej samiteve ndërkombëtare, të dy vendet, India dhe Franca, ndajnë anëtarësi dhe pjesëmarrje të barabartë në organizatat rajonale Indo-Oqeanike të quajtur IORA ku përfshihen 22 shtete nga kontinente të ndryshme apo dhe në IOC (Komisioni Oqeanik Indian) – dëshmi e një angazhimi koherent mbi sfidat aktuale dhe të tilla të reja që mund të shfaqen në rajonin e Indo-Paqësorit.
India ka zhvilluar një veprim politik proaktiv në politikën e jashtme, përkatësisht në fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australinë, Japoninë, Gjermaninë apo dhe Greqinë. Vitit 2022 ishte viti që njohu marrëveshjen e tregtisë së lirë mes Indisë dhe Australisë, përkatësisht mes kryeministrit australian të kohës, Morrison, dhe atij të Indisë që vijon të jetë në detyrë, si një qëllim i Australisë për të zvogëluar varësinë përkatëse nga Kina – partneri më i madh tregtar i kohës. Morrison do të nënvizonte: “Ekonomia indiane vlen miliarda dhe për këtë arsye ka shumë vende që duan të bëjnë më shumë biznes me Indinë, por në fakt është Australia ajo që ka mundur ta sigurojë një marrëveshje që vetëm ne mundëm ta arrinim”. Në të njëjtën kohë, vlen të theksohet që ndryshimi politik i qeverisjes në Australi nuk kufizoi hapësirën e bashkëpunimit mes dy vendeve, por i tilli u thellua përkatësisht me nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe Australi-Indi mbi migracionin, një marrëveshje kjo pjesë e thellimit të bashkëpunimit të gjerë ekonomik.
Në maj 2023, Modi vizitoi Australinë, duke pasuar vizitën e mëhershme të homologut të tij australian Albanese, në mars 2023, dhe nënshkroi me kryeministrin australian Albanese një marrëveshje që synon “të promovojë lëvizshmërinë e dyanshme të studentëve, të diplomuarve, studiuesve akademikë dhe njerëzve të biznesit”. Gjatë vizitës në Australi, Modi e konsideroi marrëdhënien mes dy vendeve si marrëdhënie që “bazohet në besimin dhe respektin reciprok” dhe komuniteti indian që jeton në Australi u konsiderua si “urë e gjallë mes dy vendeve”. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve mbetet në vëmendje të interesit kombëtar të dyanshëm. Samiti në nivel kryeministrash, i mbajtur më mars 2023, në Nju-Delhi me pjesëmarrjen e dy kryeministrave, Modi dhe Albanese, shënoi bisedimet mbi zgjerimin e tregtisë së mineraleve kryesore, si pjesë e një marrëveshjeje tregtare tërësore mes dy vendeve, ku ministri indian i Tregtisë, Goyal, theksoi si vijon: “India ka mungesë të mineraleve kryesore. Australia ka rezervë të madhe të atyre mineraleve që futen në bateritë e veturave elektrike, të cilat nuk janë plotësisht të përpunuara ose të prodhuara aktualisht”.
Nga ana tjetër, ministri australian Farell theksoi: “Mineralet kryesore, bashkë me teknologjinë hapësinore dhe mundësitë në sektorin digjital, do të jenë pikat kyçe të marrëveshjes së planifikuar”. Në kontekstin politik, India dhe Australia bashkëndajnë anëtarësinë në aleancën QUAD, bashkë me SHBA-të dhe Japoninë. Në vitin 2024, India do të jetë pritësja e radhës së zhvillimit të punimeve të aleancës QUAD. Një tjetër aleat i rëndësishëm në QUAD që shënon bashkëpunim me Indinë është Japonia – një aktor i rëndësishëm politik në Indo-Paqësor. Në janar të vitit 2023, të dyja vendet, Japonia dhe India zhvilluan stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake. Qëllimi kryesor i stërvitjes u shpall veprimi i përbashkët i sigurisë në mjedise ajrore komplekse.
Stërvitja ushtarake nuk ishte thjesht një mesazh politik mbi konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Indisë dhe Japonisë, por gjithashtu një mesazh politik bashkërendues ndaj secilës tendencë së Kinës mbi zgjerimin e ndikimit politik, ekonomik dhe ushtarak të së njëjtës. Marrëdhënia me ShBA-në shënon një rëndësi të veçantë politike si në kontekstin e aleancës QUAD dhe në fuqinë politike të secilit prej dy vendeve. Modi zhvilloi një vizitë zyrtare të nivelit të lartë në muajin qershor 2023 në Uashington, ku takimi me presidentin Biden shënoi një dimension të ri në marrëdhëniet dypalëshe. Biden theksoi: “Partneriteti është më i fortë, më i ngushtë dhe më dinamik se në çdo periudhë tjetër të historisë”. Fryma konstruktive gjatë vizitës zyrtare u konfirmua edhe nga Modi, që konfirmoi: “Një kapitull të ri në kuadër të partneritetit strategjik të dy vendeve”.
Vizita shënoi nënshkrimin e marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes dhe të tregtisë, marrëveshje të rëndësishme që shënojnë kundërpeshën politike ndaj veprimit politik të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit dhe përtej hapësirës gjeografike dhe politike përkatëse. Shtatori 2023 shënon vizitën zyrtare të Bidenit në Indi, një vizitë vijuese në mesazhet e rëndësishme të ndërsjella në bashkëpunimin jo vetëm dypalësh mes dy vendeve, por gjithashtu edhe konsolidimin në nivel të aleancës QUAD. Në deklaratën e përbashkët mes dy vendeve theksohet rëndësia e QUAD-it, ku pika 4 e deklaratës së përbashkët thekson: “Kryeministri Modi dhe Presidenti Biden konfirmuan rëndësinë e QUAD-it në mbështetje të një Indo-Paqësori të lirë, të hapur dhe përfshirës”. Në pikën 29 të deklaratës theksohet si vijon: “Të dy udhëheqësit angazhohen për një angazhim dypalësh të nivelit të lartë mes qeverive, industrive dhe institucioneve akademike që mbeten thelbësore në aspiratën e dy vendeve për tërësinë e prosperitetit të rajonit të Indo-Paqësorit”.
Gjermania është një aktor tjetër i rëndësishëm, ku marrëdhënia dypalëshe me Indinë është në konsolidim në përputhje me sfidat e reja, përkatësisht në uljen e varësisë së Indisë nga Rusia në lidhje me furnizimin me armë apo dhe investimet ekonomike apo shkëmbimet tregtare përfshirë dhe nivelin përkatës të ekspertizës. Gjatë vizitës zyrtare të kancelarit gjerman Scholz, në shkurt 2023, në Nju-Delhi, ku takimi me kryeministrin Modi konfirmoi nivelin e ri të marrëdhënies dypalëshe – ku partneriteti dypalësh tregtar është në koherencë me investimet gjermane në vend dhe me nevojën pozitive të kompanive gjermane për nivelin e lartë të ekspertëve indianë në fusha të ndryshme profesionale, ku spikat teknologjia e informacionit.
Greqia është një aktor politik në Bashkimin Evropian, një partner i konfirmuar i Indisë. Përkatësisht, në vizitën zyrtare të Modit në Athinë, një vizitë në një shtet me ndikim në Mesdhe dhe i cilësuar nga Modi si “portë hyrëse e Indisë në Bashkimin Evropian: “Duke pasur parasysh vendndodhjen dhe lidhjet tona të ngushta historike, e shoh Greqinë si një portë të rëndësishme ekonomike, logjistike dhe strategjike për Indinë në Bashkimin Evropian dhe në rajonin e Evropës Lindore në përgjithësi”. Në të njëjtën kohë, Modi thekson rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik duke nënvizuar: “Kompanitë indiane janë gjithmonë në kërkim të investimit jashtë vendit. Programi ynë ‘Make in India’ po e transformon Indinë në një qendër globale të prodhimit. Do të doja të shihja kompanitë indiane dhe greke duke përdorur gjeografinë strategjike të republikës helenike për të krijuar zinxhirë vlerash, që do t’i lidhnin ato me tregun më të gjerë të BE-së”.
Modi shpalosi vizionin e tij të qëndrimit të vendit në politikën e jashtme ku, sipas tij, India nuk e kategorizon partnerët në “Jug” dhe “Veri”, por “një parim themelor i politikës sonë të jashtme është se ne kurrë nuk e ndajmë botën në ‘Veri’ ose ‘Jug’, ‘Udhëheqës’ ose ‘Ndjekës’. Të gjithë jemi kombe sovrane dhe të barabarta. Ne gjithashtu duhet të sigurohemi që ‘askush të mos mbetet prapa’. Ne e shohim rolin e Indisë si shpatull, mbështetja e të cilit mund të përdoret nga vendet e Jugut Global për të kapërcyer gjendjen ku ndodhen”. Një tjetër moment i rëndësishëm i qëndrimit politik të Indisë qëndron në qasjen mbi mundësinë e zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë, duke theksuar: “E kemi mbrojtur diplomacinë dhe dialogun për të zgjidhur çështjen e Ukrainës. Besojmë fort se kjo nuk është vetëm një çështje politike apo ekonomike, por mbi të gjitha është çështje njerëzore. Efekti i konfliktit të vazhdueshëm ka qenë më shumë në botën në zhvillim. India është e gatshme të mbështesë të gjitha përpjekjet e vërteta për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon”. Përtej deklaratave dhe vizionit të shpallur nga Modi, dinamikat e reja politike ndërkombëtare thërrasin për një rol pro-aktiv dhe të thelluar të Indisë si një aktor thelbësor në frenimin e ambicieve zgjeruese të fuqive me karakter politik destruktiv si Rusia – përtej thirrjeve njerëzore për diplomaci. Koha politike e së sotmes, gjatë periudhës së këtij viti të rëndësishëm zgjedhor botëror, kërkon një veprim politik të fuqishëm në nivel ndërkombëtar – si shembull i interesit politik kombëtar të secilit aktor të moderuar, përfshirë Indinë.
Pjesëmarrja e Indisë në QUAD është sinjal i rëndësishëm politik, përfshirë edhe ushtarak dhe përballimi i obskurantizmit politik në nivel ndërkombëtar kërkon një rishikim të secilës aleancë apo rimodelime të të tillave, ku të njëjtat nuk mund të jenë në funksion të interesave politike të një aktori – një aktor që kërkon grumbullimin e fuqisë politike të aktorëve të ndryshëm si një tentativë kundërvepruese ndaj tërësisë së rendit ndërkombëtar, përkatësisht në aleancën BRICS ku roli qendror i Kinës mund të rrezikojë keqpërdorimin e qëllimeve të aktorëve konstruktivë si India. India është aktor i rëndësishëm politik dhe rritja e bashkëpunimit me aktorë politikë të veçantë evropianë është i rëndësishëm, por mbetet me rëndësi rritja e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian si union politik në tërësi.
Verdikti i zgjedhjeve të vitit 2024 në Parlamentin Evropian dhe ato presidenciale në ShBA nuk do të ndryshojë qasjen proaktive të rritjes së bashkëpunimit me Indinë dhe rritjen e përfshirjes së të njëjtës në aleancat apo forumet si një zë politik i shtuar në koherencë me aleancën perëndimore në mbrojtje të rendit ndërkombëtar në tërësi. Drejtimi i G-20 në një periudhë të vështirë politike ndërkombëtare ishte dëshmi e maturisë politike të Indisë dhe mund të shërbejë si një evokues pozitiv i përballimit të kompleksitetit të sfidave politike të së ardhmes.