Korridori i 8-të, rruga që do të bëjë të mundur lidhjen e Tiranës me Shkupin për më pak se tre orë po vijon me ritme të shpejta nga të dy krahët e kufirit.
Qeveria shqiptare ka caktuar fondet për katër lote të këtij korridori, ndërsa pret të hapë gjatë këtij viti edhe punimet në lotet 5 dhe 6. Në 80% të punimeve në anën shqiptare parashikohet zgjerimi i rrugës ekzistuese Elbasan – Qafë thanë.
Ndërkohë, në krahun tjetër të kufirit, Maqedonia e Veriut nëpërmjet një konsorciumi amerikan po vijon punimet, por në një gjurmë të re. Dy vendet rishikuan projektin, duke vendosur që pjesë e korridorit të 8-të të jetë edhe një tunel me dalje në një pikë të re kufitare. Dy palët janë në fazën ku po diskutohet se kush do ta ndërtojë tunelin, shprehet Drejtori i Autoritetit Rrugor në Maqedoninë e Veriut.
“Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe projektuesit shqiptarë është përcaktuar edhe gjatësia e tunelit që do jetë i përbashkët mes Maqedonisë së veriut dhe Shqipërisë. Gjatësia do të jetë 5.8 km dhe po shikojmë të gjithë mundësitë për fillimin e projektimit dhe ndërtimit të atij tuneli, në mënyrë që rruga të përfundojë në 31 dhjetor 2027. Me anë të tij do të shkurtohet rruga nga struga deri në qafë thanë për 9 km dhe në pjesën shqiptare shkurtohet deri në 11 km. Nga Struga – Tiranë shkurtohet për 20 km”, u shpreh Ejup Rustemi, Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, në Maqedoninë e Veriut.
Korridori i 8 -të do të mundësojë edhe një lidhje me Portin e ri të Durrësit?
“Me Republikën e Shqipërisë kemi memorandume bashkëpunimi për ndërtimin e këtij tuneli të përbashkët, por edhe ndërtimin Portit të thatë në strugë. Në këtë mënyrë do të kemi lidhje jashtëzakonisht shumë të mira komunikimi mes bizneseve dhe mes shtetasve tanë”, tha Rustemi.
Korridori i 8-të është bërë pjesë e sistemit rrugor evropian, ndërsa rruga më pas do të vijojë lidhjen me Sofien, kryeqytetin e Bullgarisë. Maqedonia e Veriut do të ketë një autostradë me 6 korsi, ndërsa pala shqiptare parashikon ndërtimin e një rruge interurbane me katër korsi me shpejtësi 90 km/orë.