Deputetja më e zëshme e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti nëpërmes një postimi në rrjetet sociale ka komentuar ngjarjet që po ndodhin këto ditë brenda Aleancës për Shqiptarët.
Sipas Dautit, fushata e gërditshme (me fjalë fyese, denigruese, të ulëta dhe stil rrugaçërie) që orkestrohet ndaj antarve, eksponentëve dhe simpatizantëve të ASH-së, buron nga ‘shtabet’ e atyre që vazhdimisht, sidomos 2 vitet e fundit, bëjnë përpjekje për të tjetërsuar karakterin politik që Aleanca e ka.
Shton se kjo ‘ofensivë’ e orkestruar si nga mbrenda partisë e sidomos nga jashtë partisë, duke aluduar në VMRO-DPMNE-në e Mickoskit.
Reagimi i plotë:
Të nderuar anëtarë dhe mbështetës të Aleancës për Shqiptarët,
kohëve të fundit jemi dëshmitar të ngjarjeve jo të mira politike dhe jo politike, sidomos, për ‘betejën’ e pa shembullt për të përçarë e shkatërruar Aleancën, të cilën, 10 vite më parë e filluam bashkarisht si ide dhe frymë për të rikthyer shpresën dhe për të sjellur ndryshimin në skenën politike. Ishte dhe është po kjo frymë, kjo ide që na mban të pa lëkundur edhe sot e kësaj dite.
Fushata e gërditshme (me fjalë fyese, denigruese, të ulëta dhe stil rrugaçërie) që orkestrohet ndaj antarve, eksponentëve dhe simpatizantëve të ASH-së, buron nga ‘shtabet’ e atyre që vazhdimisht, sidomos 2 vitet e fundit, bëjnë përpjekje për të tjetërsuar karakterin politik që Aleanca e ka. Kjo ‘ofensivë’ e orkestruar si nga mbrenda partisë e sidomos nga jashtë partisë (VMRO-DPMNE-ja) nuk do të ngadhnjej mbi vullnetin e pastër të antarve të Aleancës, të cilët me shumë mund dhe sakrificë, e kanë ndërtuar këtë subjekt politik.
Apeloj që të ruhet qetësia, dinjiteti dhe të mos bini pre e provokimeve të lloj llojshme që vijnë kryesisht nga ‘opozita’, të cilët me llogari të rejshme fejsbuku shajnë dhe fyejnë secilin që nuk mendon si ata.
Ne jemi parti serioze, kemi organe partiake dhe kemi struktura të mirë organizuara, të cilat do të japin vendimin për rrugëtimin tonë politik në të ardhmen.
Qëndrojmë të lidhur fortë pas Aleancës për Shqiptarët dhe aurës së saj politike.