Kryeministri i RMV-së, Talat Xhaferi sot u takua me shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, SH.T. Kilian Val, njoftojnë nga shtypi i qeverisë.
Ambasadori Val ia uroi Kryeministrit Xhaferi zgjedhjen në pozitën e Kryetarit të Qeverisë, si edhe mandatin e përbërjes së sapozgjedhur të Qeverisë, ndërsa në fokus të bisedës në takim ishin zgjedhjet e ardhshme të rregullta presidenciale dhe parlamentare.
Xhaferi, thuhet në njoftim, e theksoi përcaktimin e tij pa mëdyshje që Qeveria kalimtare që ai e drejton, të organizojë dhe zbatojë zgjedhje të qeta, korrekte dhe demokratike, sipas standardeve më të larta evropiane.
“Xhaferi potencoi se koalicioni pro-evropian, mbi të cilin bazohet Qeveria, është e përkushtuar ndaj vlerave evropiane në politikat në të gjitha fushat, sepse një nevojë thelbësore për cilësinë e jetës së qytetarëve është integrimi i shpejtë i Republikës të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, dhe zgjedhjet janë pjesë e kësaj rruge përpara. Në këtë drejtim, në takim u shpreh pritshmëria për kontribut nga të gjitha subjektet dhe institucionet politike, për zgjedhje korrekte dhe demokratike, si edhe në disa ciklet zgjedhore të mëparshme dhe duke i pasur parasysh rekomandimet e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it.