Me 2 orë e gjysmë vonesë, filloi mbledhja e 143-të e Kuvendit, në rend dite të së cilës është shkarkimi i ministrave të Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu, si dhe Propozimi për emërim të Ilir Demirit dhe Naim Bajramit në vend të tyre në këto dy resorë.
Kërkesën për shkarkim të Mexhitit dhe Aliut e parashtroi dje kryeministri teknik, Talat Xhaferi i cili është i pranishëm në mbledhje.
Kërkesa për shkarkim të Mexhitit dhe Aliut vjen pasi që ata e mbështetën kryetarin e Aleancës për Shqiptarët (ASH) Arben Taravarin, i cili paralajmëroi se në zgjedhje do të shkojë me opozitën shqiptare, përderisa krahu i ASH-së i kryesuar nga Ziadin Sela paralajmëroi se në zgjedhjet për deputetë më 8 maj, ASH-ja duhet të paraqitet e vetme.
Në mbledhjen e 143-të janë edhe Propozim-Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për masat restriktive, në lexim të parë dhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për planifikim urbanistik, për ndërtim, për të drejtat e posaçme të pjesëtarëve të forcave të sigurisë të Republikës së Maqedonisë dhe të anëtarëve të familjeve të tyre, të gjithë në procedurë të shkurtuar. Kuvendi duhet të deklarohet edhe për tre nisma qytetare për referendume.