Përfaqësues të Lëvizjes Antibixhoz nga Tetova sot mbajtën konferencë për media në të cilën theksuan se do të vazhdojnë me aktivitete edhe pse u votuan ndryshimet e Ligjit për Lojërat e Fatit. Sipas tyre, ndryshimet nuk mjaftojnë, ndërsa ata duan zhdukje në tërësi të këtij vesi.
“Jemi të vetëdijshëm se ky ligj nuk e zgjidh problemin në tërësi siç kërkohet nga Lëvizja Antibixhoz për mirëqenien e qytetarit. Besojmë se është një fillim i mbarë për të luftuar këtë fenomen negativ, për herë të parë përmendet distanca që do të ndikojë ndjeshëm në mbrojtjen e fëmijëve tanë dhe familjeve tona. Mbetet të shihet se si do të zbatohet dhe sa serioze do të jenë këto ndryshime. Ne nga Lëvizja Antibixhoz do të vazhdojmë të angazhohemi edhe në të ardhmen deri në zhdukjen e këtij vesi të keq dhe do të vazhdojmë të luftojmë për mbrojtje nga grabitja klasike që i bëhet qytetarit deri në mbylljen e plotë të tyre”, deklaroi Xhemal Abdiu.
Lëvizja Antibixhoz vlerëson se me numër të vogël të votave është bërë miratimi i ndryshimeve në ligj.
“Numri i vogël i votave është tregues i qartë se diçka nuk funksionon, tregon se këto objekte nuk kanë rënë nga qielli, është tregues i qartë se oligarkët e fuqishëm janë krijuar nga ata që mendonin se duhet të na mbronin, duke konfirmuar epitetin se jemi shtet kumar. Ne jemi kundër çdo lloj bixhozi, qoftë ai fizik apo onllajn. Faleminderit grupit parlamentar të BDI-së, LSDM-së dhe ASH-së, me votën tuaj na dhatë frymë të re dhe treguat se si nuk duhet të jemi viktima të interesave të oligarkëve lakmitarë. Të gjithë juve që ende hezitoni, ju ftojmë të largoheni nga mosmarrëveshjet politike, të pozicionoheni në raport me të mirën dhe të keqen sepse kjo i jep orientim dhe vlerë jetës sonë”, theksoi Xhemal Abdiu.
Në pyetjen e gazetarëve nëse si Lëvizje Antibixhoz do të kenë aktivitete edhe kundër organizimit onlajn të lojërave të fatit që janë në organizim të Lotarisë Shtetërore, Abdiu tha se nuk do të lejojnë një lloj i basteve të zëvendësohet me lloj tjetër.
Ndryshimet e ligjit për lojërat e fatit parasheh që ato objekte të jenë 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa kjo duhet të bëhet gjatë një viti.