Dega e BDI-së në Tetovë, përmes një komunikatë për shtyp ka reaguar në lidhje me emërimin e Branisllav Jakimovskit në pozitën e zëvendës drejtorit në NPK – Tetovë.
Nga BDI thonë së i lartpërmenduri është person me prirje ekstreme nacionaliste dhe anti-shqiptare, dhe njëherit e pyesin kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami, se çfarë borxhi kanë ndaj VMRO-së që e shpërblejnë me këto pozita?
Komunikata e plotë:
“Hipokrizia e udhëheqësisë së komunës së Tetovës çdo ditë e më shumë po del në shesh.
Rast i tillë është edhe emërimi i “Vojvodës” së VMRO-DPMNE-së, Branisllav Jakimovski, si zëvendës drejtor i NPK-së.
Jakimovski njihet në opinion si mbështetës i vendosjes së kryqit në Kodrën e Diellit në Tetovë, gjë e cila shihet edhe nëpër postimet e tij në rrjetet sociale.
I njëjti është edhe anëtar i Institutit Patriotik të VMRO-DPMNE-së “Goce Dellçev. Institut ky që njihet për qëndrime ekstreme nacionaliste dhe anti-shqiptare.
Atë që e kemi thënë më heret, po vërtetohet. Kryqi në Kodër të Diellit është vendosur në bashkëpunim mes partnerëve të koalicionit, Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE.
Ky bashkëpunim është aq i thellë, saqë kryetari Kasami detyrohet të largojë nga puna bashkëpartiakët e tij për t’i zëvendësuar më “Vojvodat” e VMRO-së.
Çfarë borxhi ka Kasami ndaj VMRO-DPMNE-së që është duke i shpërblyer me pozitat më të rëndësishme në komunë?”, përfundon komunikata.