Filluan nga oborri i shkollës dhe marshuan drejt sheshit të Tetovës për të bashkëbiseduar me qytetarët dhe për të shpërndarë fletushka për ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e ambientit jetësor.
“Hedhja e mbetjeve në këtë mënyrë nuk është kulturë që i ngjan qytetit të Tetovës dhe tetovarëve. Ambienti duhet ruajtur sepse është shëndet për neve. Pikërisht për këtë fenomen, sot këta nxënës bashkë me shokë e shoqe të shkollave të tjera të Tetovës, kanë dalë për të ndarë fletushka për qytetarët e Tetovës për të ruajtur ambientin jetësor. Rrugë më të pastra, ambient më të pastër – shëndet më i mirë për gjithë ne”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Fëmijët kërkuan nga qytetarët që mbeturinat t’i hedhin në kosh e jo nëpër rrugë
“Ne jemi e ardhmja e këtij qyteti, nëse ne nuk e mbajmë pastërtinë në qytetin tonë, edhe pasardhësit tanë do mësohen me këtë papastërti. Nga banorët kërkojmë të kujdesen më shumë për ambientin, mbetjet të hidhen tek koshi i plehrave”, tha Arlinda Abdiu, nxënëse.
“Do kërkojmë që ta mbajmë pastër ambientin tonë, mbetjet të hidhen ku duhet që të kemi shëndet më të mirë dhe ta mbrojmë qytetin”, tha Kamela Sinani, nxënëse.
Këtij aksioni në kuadër të projektit javor për ngritjen e vetëdijes qytetare për ruajtjen e ambientit iu bashkëngjitën edhe mësimdhënësit dhe inspektorët e ambientit të Komunës së Tetovës, si bartës të këtij projekti.
“Sot fillojmë me projektin për vetëdijesim ekologjik në bashkëpunim me komunën e Tetovës, inspektorati për ambient jetësor dhe shkollat fillore të Tetovës. Sot nxënësit që janë veshur edhe me llogot e Eko Patrollit dhe Pastërtia është shëndet, do ndajmë edhe fletushka për kalimtarët e rastit, nga shkolla tek qendra dhe më poshtë tek ish ronaldoja. Në bisedim me qytetarët në pika të shkurtra do ju shpjegojmë qytetarëve se si duhet mbajtur ambienti pastër”, tha Mirdije Dervishi, Inspektore për ambient jetësor.
Ky aksion që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes ekologjike tek qytetarët do të zgjas një javë, ndërsa në të marrin pjesë 12 shkolla fillore.