Të rinjtë e BDI-së së Tetovës, sot përmes një konference për mediat kanë shpalosur të dhëna duke e akuzuar kryetar aktual të komunës, Bilall Kasamin, për favorizime dhe keqpërdorim të miliona eurove përmes dhënies së tenderëve.
Teksti integral i konferencës:
“Të nderuar qytetarë
Të nderuar përfaqësues të mediave
Miliona euro nga buxheti i Komunës së Tetovës janë derdhur në llogaritë e 3 firmave në pronësi të një familje, pra bëhet fjalë për kompanitë, Eko Peu, Ereu Trans dhe Mujo Ba.
Këto firma, kanë marr tenderë ekskluzivisht nga Komuna e Tetovës dhe nga asnjë institucion tjetër. Pra burim i vetëm i të hyrave ka qenë llogaria e Komunës së Tetovës.
Ende më interesant është fakti që dy nga këto firma kanë vetëm nga një të punësuar ndërsa kanë marr miliona euro tenderë.
Dyshimi rritet ende më shumë kur kuptohet që këto firma të lartëcekura kanë veprimtari komplet të ndryshme nga punët për të cilat obligohen që t’i kryejnë sipas marrëveshjeve të nënshkruara mes tyre dhe Komunës së Tetovës.
Këtë nuk e themi vetëm ne, po e thonë edhe shumë media të cilat nga afër i kanë hulumtuar tastet dhe mënyrën e tenderimit.
Pronarët dhe familjarët e afërt të këtyre kompanive, nuk e fshehin lidhjen që kanë me udhëheqësit e Komunës së Tetovës dhe kryesinë e Lëvizjes Besa, duke publikuar fotografi nga mbledhjet e ndryshme partiake.
Lidhja mes këtyre grupeve të interesit shkon edhe më larg kur shtojmë që shefi aktual i urbanizimit në Komunë të Tetovës është familjar dhe mik i pronarëve të Kompanive të lartcekura, dhe ish i punesuar në po të njëjtat kompani që tani po marrin tenderë milionësh nga Komuna e Tetovës.
Të nderuar qytetarë
Bilall Kasami po i shpërblen donatorët e partisë me Miliona Euro nga paratë e tetovarëve.
Bilall Kasami po e dëshmon se Komunën e Tetovës e sheh si mjet për rahatimin e militantëve partiak dhe donatorëve të tij, ndërsa e gjithë kjo shkon në kurriz të qytetarëve të Tetovës.
E pyesim publikisht Bilall Kasamin dhe klanin e tij mafioz, se si i kanë caktuar kushtet e tenderimit dhe si kanë arritur t’i përjashtojnë të gjitha kompanitë tjera nga prokurimi publik?
Sa takime fshehurazi kanë mbajt me pronarët e Mujo-Ba para se të shpallin tenderimin?
Si ka fytyrë që të del e të flet për suksese dhe për punë kur pas çdo pune të bërë fshihet nga një aferë korruptive dhe kriminale?
Të nderuar qytetarë,
Kjo është vetëm një nga të bëmat e këtij klani mafioz që udhëheq me Komunën e Tetovës, e që gjithmonë shkon në kurriz të qytetarëve të Tetovës.
Nga këtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë që të hetojnë rastin dhe krimi e korrupsioni të del në shesh.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje publike edhe Komisionit Anti-Korrupsion që të hetojë rastin dhe të del me raport.
Tetovarët meritojnë ta dinë të vërtetën dhe të kuptojnë se ku shkojnë paratë e tyre”, përfundon konferenca.