Ish ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi tani deputet nga radhët e BDI-së, ka dalë me premtim në Facebook, për pagat në universitete. Ademi shkruan se siç themeluan universitetet, tani do të përkushtohen që t’i zhvillojnë të njëjtat.
Deputeti njofton se që nga dita e hënë do të dorëzojnë propozim – ligj për plotësimin e Ligjit për arsimin e lartë. Siç sqaron, ky ligj do të rregullojë koeficientin e pagës.
“Që nga dita e hënë do të dorëzojmë propozim-Ligjin për plotësimin e Ligjit për arsimin e lartë me çka do të rregullohet koeficienti i pagesës së pagës për punonjësit në institucionet e arsimit të lartë publik nga llogaria e buxhetit, përfshirë profesorët, personelin jomësimdhënës dhe personelin teknikë. Me këtë do të eliminohet çdo mundësi e ndonjë lloj diskiriminimi. Ashtu siç i kemi themeluar dhe zhvilluar universitetet në vend, ne do të #VAZHDOJMË me mbështetje për zhvillimin dhe rritjen e cilësisë së tyre si dhe të arsimit në përgjithësi”, tha mes të tjerash Ademi.
Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen është “Like” (Pëlqimi) që i ka bërë ministri aktual i Arsimit dhe Shkencës nga BDI, Jeton Shaqiri.