Një 52-vjeçar nga Veleshta e Strugës ka sulmuar një infermiere të Repartit për kirurgji pranë Spitalit të përgjithshëm – Strugë, sepse kjo e fundit i ka kërkuar që ta fik cigaren në ambientin e brendshëm spitalor.
Prokuroria Themelore Publike Strugë e cila ka kërkuar paraburgim për 52 vjeçarin, sqaron se i dyshuari në mënyrë agresive është sjellë ndaj infermieres, e ka ofenduar dhe e ka goditur me këmbë në stomak. Pas kësaj situate, i dyshuari është larguar.
Ngjarja ka ndodhur më 29 shkurt, ndërsa personi është arrestuar ditën e ardhshme.
“Duke pasur parasysh sjelljen e të dyshuarit, rrezikun që i njëjti ta përsërisë veprën dhe ta sulmojë sërish infermieren, prokurori publik deri te gjykatësi i procedurës paraprake dorëzoi propozim për përcaktim të masës paraburgim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.