Për shkak se nuk u përfshinë në rritjen e pagave sikurse Universiteti Shtetëror “Shën Kirili dhe Metodi”, në pesë universitete të vendit të hënën do të ketë protesta.
Nëpërmjet një njoftimi që mban vulën e pesë sindikatave të të punësuarve në universitetet përkatës, bëhet e ditur se protestat do të mbahen në hyrjet e universiteteve:
- “Goce Dellçev” – Shtip
- Universitetin e Tetovës
- Shën Klimentin e Ohrit
- “Nënë Tereza” dhe
- “Shën Apostoll Pavle” – Ohër
“Sindikatat e përshëndesin zbatimin e Marrëveshjes Kolektive nga ana e Qeverisë me UKIM-in, por njëherësh janë edhe kundër standardeve të dyfishta, diskriminimit dhe pabarazisë ndaj universiteteve të tyre, pasi e gëzojnë të njëjtin status dhe se shteti padrejtësisht i ka lënë anash.
Sindikatat nuk janë kundër askujt dhe protestat nuk kanë kurrfarë ngjyrimi politik, por ato organizohen për kthimin e dinjitetit, integritetit dhe drejtësisë së shkelur e të nëpërkëmbur nga ana e organeve kompetente vendimmarrëse”, thuhet mes të tjerash në njoftim.
Protestat do të mbahen me fillim në orën 13:00.