Për një javë 50 raste të reja me kollë të madhe, pesë fëmijë të hospitalizuar

Për një javë 50 raste të reja me kollë të madhe, pesë fëmijë të hospitalizuar

Në periudhën nga 1 deri më 7 mars janë regjistruar 50 raste të reja me kollë të madhe. Sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetësisë Publike, shumica e rasteve janë raportuar në Shkup – 43, në Tetovë – tre, një në Koçan, Kavadar, Kumanovë dhe Manastir. Nga rastet e reja, pesë janë shtruar në spital. Bëhet fjalë për katër foshnja nën moshën një vjeç dhe një fëmijë nga grupmosha një deri në katër vjeç.

Mosha e pacientëve shkon deri në 40 vjeç, ndërsa numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha e fëmijëve nga 10 deri në 14 vjeç.

Deri më 7 mars, në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 173 raste të kollës së madhe. Prej tyre, 102 raste (d.m.th. 58.0%) nuk janë vaksinuar, nuk janë vaksinuar plotësisht sipas moshës ose nuk ka dëshmi të vaksinimit, thuhet në raport.

Nga të sëmurët janë shtruar 33 persona (19.0%) dhe 28 (84.8%) prej tyre të moshës deri në 4 vjeç.

Sipas rekomandimeve të Komisionit për Sëmundjet Infektive, nga e hëna, kopshtet nuk do të pranojnë fëmijët të cilët nuk janë vaksinuar me di-te-per, ndërsa Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar njoftoi përforcim të kontrolleve inspektuese.

Lajme Vendi