Ministria e Drejtësisë reagoi në protestën “Stop për përmbaruesit”, që u mbajt sot para ndërtesës së Ministrisë, e me të cilën qytetarët në protestë të qetë kërkuan që përmbaruesit t’i respektojnë ndryshimet ligjore, me të cilat borxhet vjetërsohen.
Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencë ligjore për të dhënë interpretim autentik të normave juridike, që është kompetencë ekskluzive e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, thonë nga MD.
Ministria e Drejtësisë ju njofton se kompetencë ekskluzive për të vepruar në bazë të parashkrimit të lëndës te përmbaruesi, ka gjykata në procedurë përkatëse.
“Instituti juridik – parashkrimi, afatet, mbarimi dhe mënyra e përcaktimit, janë të rregulluara me dispozita të shumta të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve (neni 349-382) dhe i njëjti nuk zbatohet automatikisht, por përcaktohet në procedurë gjyqësore me propozim të debitorit.
Përmbaruesi është i detyruar të veprojë sipas kërkesës së kreditorit dhe i njëjti nuk është i autorizuar të marrë asnjë vendim procedural lidhur me rrjedhën e përmbarimit, e që është kompetencë ekskluzive e gjykatës”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.