Për vrasjen e djeshme të 19-vjeçarit Grei Bihuci, që nisi për një “like” ndaj një vajze në rrjetet sociale, policia e Fierit ka vijuar arrestimet e bashkëpunëtorëve të përfshirë në krimin makabër në mes të qytetit.
Vihen në pranga 4 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 1 tjetri, autorë të dyshuar për vepra penale të ndryshme.
”Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur reth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, Fier, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 18 vjeç, banues në Fier dhe K. M., 17 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes.