Drejtoria e Doganave njofton se ka ndaluar përkohësisht 1.2 ton mall i cili më 11 mars u kap në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Sasia e ndaluar nga Doganat në fakt janë telefona celularë, që jo zyrtarisht pretendohet të jenë rreth 3.000 copë në 100 kuti të cilat po transportoheshin me një maune për mallra. Drejtoria e Doganave ka njoftuar Prokurorinë Publike.
“Është njoftuar Prokuroria Publike në formë të shkruar, ndërsa gjatë ditës janë bërë konsultime shtesë me prokurorin përkatës për veprimet e mëtejme. Malli i cili për momentin është ndaluar ishte i paraparë për në Shkup. Për shkak të parregullsive të konstatuara, përkatësisht mos përputhja e gjendjes faktike të deklaruar me sasinë e mallit, Drejtoria e Doganave është duke kryer kontroll dhe hetim përkatës për rastin në fjalë”, njoftojnë nga Drejtoria e Doganave.
Jozyrtarisht, për mijëra celularë të ardhur nga Dubai përmes Stambollit, vlera e doganimit ka arritur në 36 mijë denarë. Burime nga grupi hetimor në MPB kanë treguar për Alsat se informacioni paraprakisht ka qenë për një sasi droge e cila sipas informatorëve ka qenë e destinuar nga Dubai, në Amsterdam për të përfunduar në Shkup. Mjeti i cili është ndaluar për të kontrolluar drogën e mundshme, ka rezultuar të ketë mijëra celularë dha aksesorë të ardhur nga Dubai, në Stamboll dhe për të përfunduar në Shkup. Deri tani organet ligj zbatuese nuk kanë treguar për emra konkret të personave të dyshuar apo subjekteve të përfshira në dyshimet paraprake. Vlera e mallit të ndaluar në tregun vendase mendohet të arrijë deri në 3 milion euro.