Komisioni për Sëmundjet Infektive pritet të mbajë mbledhje sot, dhe sipas asaj që ka bërë të ditur dje ministri i Shëndetësisë në Qeverinë Teknike, Ilir Demiri, do të jetë më e qartë nëse ndalimi i pranimit të fëmijëve të pavaksinuar me DiTePer vlen për ata që nuk janë vaksinuar fare, apo edhe për ata që nuk kanë marrë rivaksinimin.
Nga e hëna, Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor (ISHSSH) ka nisur inspektimet e jashtëzakonshme dhe ka sjellë vendim për ndalimin e pranimit në kopshte të fëmijëve që nuk janë imunizuar me vaksinën DTP, pasi Ministria e Shëndetësisë pranoi rekomandimet e seancës së fundit të Komisioni për Sëmundjet Infektive.
Drejtoresha e Insektoratit Shëndetësor Renata Mlladenovska, të hënën informoi se pothuajse 50 për qind e fëmijëve në çerdhet e Shkupit janë të pavaksinuar ose pjesërisht të vaksinuar kundër pertusisit, ndërsa në qytetet përreth mbi 95 për qind janë të vaksinuar.
Fakti që rreth 50 për qind e fëmijëve nuk janë të vaksinuar ose nuk janë plotësisht të vaksinuar është shqetësues, tha Mlladenovska. Inspektorati siç tha ajo, kontrollon edhe çerdhet private.
Përfshirja e ulët e vaksinimit kundër kollës së keqe është diskutuar edhe dje në takimin e ministrit të Shëndetësisë Ilir Demiri me përfaqësuesen e UNICEF-it në vend, Patricia DiGiovani.
“UNICEF shprehu gatishmërinë për të vazhduar me mbështetjen për forcimin e sistemit shëndetësor dhe zbatimin e aktiviteteve të komunikimit, për të rikthyer besimin në sistemin shëndetësor dhe vaksinat. Në këtë kontekst, është e rëndësishme edhe futja e një sistemi për menaxhimin e dezinformatave dhe informacioneve të gabuara në lidhje me vaksinat dhe procesin e vaksinimit në Ministrinë e Shëndetësisë”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media.
Sanja Cilevska Mlladenovska, pediatre në Qendrën e vaksinimit “Bukuresht”, tha për MIA-n se nga e hëna numri i vizitave është trefishuar.
Siç sqaroi ajo, 2/3 e vizitave janë fëmijë me rivaksinim me DiTePer për shkak të dozave të lëshuara. Në baza ditore aplikohen rreth 120 vaksina në të dyja turnet.
“Ne jemi të ngarkuar edhe me punë administrative për dhënien e certifikatave për kopshtin e fëmijëve, pasi sipas vendimeve të Inspektoratit, kërkojnë që të gjithë fëmijët mbi 20 muaj të kenë marrë katër doza të vaksinës DiTePer. Është problem shtesë për prindërit e fëmijëve të cilët tani kanë filluar të vaksinohen për herë të parë, duke pasur parasysh se distanca më e shkurtër nga doza e parë deri në të katërt është nëntë muaj”, sqaroi Cilevska-Mlladenovska.
Sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), nga data 1 deri më 7 mars janë raportuar 50 raste të reja me kollë të keqe.
Shumica e rasteve janë në Shkup – 43, dhe tre raste janë raportuar në Tetovë dhe nga një në Koçan, Kavadar, Kumanovë dhe Manastir. Nga 50 rastet e reja, pesë janë shtruar në spital.
Bëhet fjalë për katër fëmijë nën moshën një vjeç dhe një nga grupmosha një deri në katër vjeç.
“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri më 7 mars janë regjistruar gjithsej 173 raste të kollës së mirë, me një incidencë prej 9.4/100.000 banorë. Sa i përket vendbanimit, numri më i madh i banorëve jetojnë në Shkup – 151 ose 87,3 për qind në dymbëdhjetë komuna të ndryshme”, sqaron ISHP.