Shkup, 19 mars – Nga Bashkimi Demokratik për Integrim njoftojnë se nesër me fillim në ora 12:00, në hotelin Aleksandar Palas në Shkup do të mbajë konferencë për shtyp kryetari i BDI-së, përcjell TV21. Jozyrtarisht Ali Ahmeti nesër nis themelimin e Frontit Europian.
“Ju njoftojmë se nesër (e martë, 19.03.2024) kryetari i BDI-së z. Ali Ahmeti do të mbajë konferencë për media me fillim në ora 12:00 tek hotel Aleksandar Palace”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Në lidhje me: Ali Ahmeti pritet ta formalizojë Frontin Europian, duke nënshkruar marrëveshje me partnerët e koalicionit
Me shumë gjasa, Ahmeti do të njoftojë për të shumëpërfolurin Front Europian, pasi siç mëson TV21 nga burime të tij, kreu i BDI-së Ali Ahmeti pritet të mbledhë të gjithë partnerët e koalicionit për të nënshkruar marrëveshjen për të dalë bashkë në zgjedhje.
Nga ato që janë përmendur deri më tani, pjesë e këtij Fronti pritet të jenë BDI e Ahmetit si nismëtare e kësaj ideje, ASh-krahu i Ziadin Selës, PDSh e Menduh Thaçit, PDE e Arianit Hoxhës dhe Lëvizja Populli e Skender Rexhepit – Zejd. TV21 mëson se kreu i integristëve Ahmeti tashmë e ka gati ekipin kundër opozitës shqiptare, me të cilin do të dalë në garën për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Me këtë, blloku shqiptar do të ndahej përfundmimisht në dy taborë, ai i partive të lartpërmendura që janë aktualisht në pushtet si dhe ai i partive opozitare që janë bërë bashkë në koalicionin VLEN, i përbërë nga ASh- krahu i Arben Taravarit, Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Alternativa e Afrim Gashit, e të cilët kanë mbështetje edhe të Lëvizjes Vetëvendosje të Kosovës.