Kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski shprehet i bindur se koalicioni i udhëhequr nga socialdemokratët do të dalë fitues në zgjedhjet e ardhshme. Në intervistë për Alsat, Kovaçevski komentoi edhe kandidaturën e Bujar Osmanit për president, për të cilin tha se nuk mendon që në mënyrë indirekte do ta ndihmonte kandidatin e VMRO-së.
Kovaçevski tha se për herë të parë në kampin politik shqiptar do të ketë garë të ashpër pasi BDI-ja ka përballë kandidatin e opozitës për president nga i cili dy herë ka humbur në zgjedhjet në Gostivar.
“Tani për herë të parë kemi një fushatë serioze mes dy partive politike shqiptare, nga njëra anë BDI-ja e cila është parti e madhe, e cila ka një organizim serioz, mbi 20 vjet është në pushtet dhe nga ana tjetër kemi opozitë të bashkuar shqiptare e cila ka kandidat i cili dy herë ka arritur vet të mund kundërkandidatët e BDI-së në Komunën e Gostivarit”.
“Prandaj them se kjo fushatë do të jetë ndryshe. Ju e shihni se kishte disa përpjekje për përfshirjen e temave nacionale të cilat nuk kaluan dhe morën fund për 5 minuta, pasi qytetarët duan të shohin përcaktim të qartë kush për çfarë është dhe çfarë standardi jetësor iu ofron për të ardhmen”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.