Një bullgar është rrahur në Ohër, ka bërë të ditur aktivisti Viktor Stojanov.
“Jane Murgoski me dy brinjë të thyera, hundë të thyer, frakturë në dorën e majtë, tronditje. Rrihet nga katër policë maqedonas – në shtëpinë e tij. Babai i tij – Vllado Murgoski merret me shkrime dhe ka botuar librin për shoqatën “Radko” – kompaninë e parë bullgare në Maqedoni pas vitit 1944. Tani presim reagim nga Bullgaria”, ka shkruar Stojanov.
Sipas tij, rasti tashmë është nën hetim dhe dy zyrtarët e policisë ndodhen në paraburgim.
“Bullgaria është në lëvizje. Dhe ne jemi në lëvizje. Nëse lejojmë që kjo të vazhdojë të ndodh – do të jemi të mallkuar. Kush dëshiron të ndihmojë me para ose ndryshe – na shkruani”, thotë më tej Stojanov, i cili e ka denoncuar rastin në rrjetet soiale dhe në disa mediume në gjuhën maqedonase. Për rastin ka shkruar në Facebook edhe eurodeputeti nga EKR/VMRO, Angel Xhambaski.
Ky rast mund të tensionojë sërish raportet Shkup-Sofje, njëjtë sikurse që ndodhi pas rrahjes së Sekretarit të Klubit bullgar në Ohër, Hristijan Pendikov, që ndodhi në janar të vitit të kaluar. Pendikov tani jeton në Bullgari.