Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti sot ka takuar profesorin amerikan Edward P. Joseph në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ahmeti tha se gjatë këtij takimi e ka njoftuar profesorin Joseph në lidhje me ngjarjet e fundit në vend, ndikimin rus, integrimin evropian, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare etj.
Në vijim keni shkrimin e plotë të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.
“Me kënaqësi sot në Kuvend takova Edward P. Joseph, profesorin amerikan dhe njohësin shumë të mirë të rrethanave në vendin tonë dhe në rajon, me të cilin diskutuam për integrimin europian, ndikimin rus në Maqedoni të veriut dhe rajon, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare si dhe të ardhmën e Ballkanit perendimor si tërësi.
E njoftova z. Joseph rreth zhvillimeve të fundit dhe përkushtimin tonë që ti prijmë procesit integrues nëpërmjet të ndryshimeve kushtetuese duke i bërë ballë njëkohësisht ndikimeve intenzive malinje ruse kundër aspiratave tona euro-amerikane” ka shkruar Ahmeti në Facebook.