Mjeku amë nga Shkupi, Aco Tërpovski, nuk është vrarë në veturën e tij, por në një vend tjetër për zbulimin e të cilit ende po punohet, ka deklaruar zëvendësministri shtesë i Punëve të Brendshme Mitko Bojmacaliev.
“Në një muaj kanë ndodhur dy ngjarje të pakëndshme në territorin e SPB Shkupi, vrasja e mjekut Aco Tërpovski dhe të shtënat me armë në Haraçinë. Arrestuam tre persona, por ata u liruan për mungesë provash. Sipas informacioneve tona, personi nuk është vrarë në makinë, por trupi është sjellë dhe është lënë në makinë. Motivet e vrasjes nuk janë zbuluar ende,” thotë Bojmacaliev.
Prokurori publik bazuar në këto rezultate, nuk do të kërkojë zgjatjen e masës së arrestit shtëpiak për tre personat, duke premtuar që do të vazhdojë me MPB-në të zbardh rastin.
Ndryshe, prokurori publik nga PThP Shkup më 28 mars ka dorëzuar te gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës arrest shtëpiak afatshkurtër në kohëzgjatje prej 48 orësh për dy persona të dyshuar. Ata dyshohen për vrasjen e mjekut 67-vjeçar nga lagjja Hekurana e Shkupit që u gjet i vrarë me thikë në makinën e tij. Siç informuan nga MPB-ja, mjeku kishte një ordinancë private në poliklinikën “Hekurana”.
Trupi i tij i pajetë, siç bëhet me dije nga MPB-ja dhe Prokuroria Publike , është gjetur nga djemtë e tij të cilët kishin dalë ta kërkonin pasi nuk ishte kthyer nga puna në shtëpi.