Sulmuesit, të cilët qëlluan drejt kryetarit të Komunës së Haraçinës të hënën, janë ende të lirë. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk ka arrestuar asnjë person lidhur me këtë konfrontim, tha zëvendësministri shtesë i Punëve të Brendshme Mitko Bojmacaliev.
Deklarata e Bojmacaliev vjen pasi dje në media u njoftua se Ministria e Punëve të Brendshme ka arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë ndihmuar në sulmin e armatosur të djeshëm ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës.Zëvendësministri shtesë konfirmon se MPB-ja ka arrestuar një person, por që nuk ka lidhje me sulmin në Haraçinë, por kërkohet me fletarrest ndërkombëtar.
“Dua të mohoj disa shkrime që kam lexuar mbrëmë se kemi arrestuar persona të lidhur me atë përplasje. Ata persona që janë arrestuar, gjegjësisht ai person nuk është i lidhur me të shtënat në Haraçinë, por gjatë kontrollit rutinë që kemi në kufi dhe që e bëjmë nga ajri dhe nga toka. Aty është arrestuar një person i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, i kthyer nga fushëbeteja e huaj, nga Republika e Kosovës. Pra, ai arrestim nuk ka të bëjë me rastin në Haraçinë”, tha Bojmacaliev.
Ai thotë se Ministria e Punëve të Brendshme ka të dyshuar për sulmin e armatosur, por se sulmuesit janë ende të lirë.
Aty, siç tha Bojmacaliev, kemi mbledhur disa dëshmi, por megjithatë, thotë ai, nuk duhet të ketë sensacion në media.
“Dëshiroj që opinioni të dijë se unë jam person transparent dhe derisa isha pjesë e kabinetit të Spasovskit, jemi munduar të jemi gjithmonë transparentë dhe objektivë, të mos krijojmë sensacion në media, siç u përpoqën të bëjnë disa struktura mbrëmë, se kemi arrestuar persona. Edhe një herë e përsëris se ende nuk kemi persona të arrestuar për të shtënat dhe tentativën për vrasje në Haraçinë. Ata persona janë arrestuar për një rast krejtësisht tjetër dhe në rrethana të ndryshme”, shtoi Bojmacaliev.
Prokuroria Publike dje ka njoftuar se policia është ende në kërkim të sulmuesit i cili pasditen e së hënës në Haraçinë të Shkupit me automatik ka shtënë në drejtim të kryetarit të Komunës Ridvan Ibraimi dhe disa personave të tjerë, duke plagosur dy persona të cilët ishin me kryetarin e komunës gjatë shkëmbimit të zjarrit. Në mesin e të lënduarve nuk është Ibrahimi dhe këtë e ka konfirmuar sot Bojmacaliev.
Dy të lënduarit njëri me plagë nga arma e zjarrit në kraharor dhe tjetri në shpatullën e djathtë janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Emergjente në Shkup dhe në Klinikën për sëmundje kirurgjikale “Sveti Naum Ohridski”.