Asistentët me kontratë në vepër në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në UT, e bojkotojnë mësimin praktik që nga fillimi i këtij viti akademik.
Visar Xhaferi tha se arsyeja e bojkotit të mësimit praktik është mospagesa e tre semestrave, gjegjësisht nëntë muajve.
“Në momentin që do të realizohet pagesa e mësimit praktik ne do të vijojmë me mësimin e rregullt. Pas kërkesës për bojkot, na janë paguar vetëm dy muaj, ndërkohë kemi tre semestra të papaguar, gjegjësisht nëntë muaj. Duke ditur rëndësinë e mësimit praktik, kërkojmë mirkuptim nga studentët dhe i informojmë se në momentin që do të paguhet mësimi praktik ne do të vijojmë menjëherë me mësimin, përndryshe ky semestër rrezikon të shpallet i pavlefshëm për to”, tha Xhaferi.
Ai theksoi se i kanë njoftuar edhe Rektoratin edhe Sindikatën e UT-së për problemin me të cilin ballafaqohen.
“Na është premtuar disa herë se do të bëhet pagesa, por problemi është zgjeruar aq shumë saqë ka kaluar çdo kufi”, tha Xhaferi.
Ai theksoi se kërkojnë që statusi i punës praktike për studentët të rregullohet njëjtë sikurse në Universitetin e Shtipit.