Sezoni i ngrohjes përfundon sot, por nga Komisioni rregullator i energjetikës thonë se temperaturat monitorohen në bazë ditore dhe nëse është e nevojshme do të kyçet sistemi i energjisë termike.
“Sot përfundon sezoni i ngrohjes, por deri në fund të prillit hyjmë në një periudhë kalimtare në të cilën KRE-ja njofton çdo ditë ngrohtoret nëse janë krijuar kushtet që sistemi i ngrohjes të kyçet. Sipas nenit 45 nga Rregullat e furnizimit sa herë që temperatura mesatare ditore e parashikuar është 12 dhe më e ulët se 12 atëherë jepet urdhër që janë krijuar kushtet për fillimin e prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë termike për konsumatorët tariforë”, theksojnë nga Komisioni rregullator i energjetikës.
Për nesër, sipas të dhënave të marra nga Drejtoria për punë hidrometeorologjike, nuk ka kushte për prodhim, shpërndarje dhe furnizim me energji termike për konsumatorët tariforë sepse temperatura mesatare ditore e parashikuar në Shkup do të jetë 19 gradë.
Nën ndikimin e një mase ajrore të lehtë dhe të qëndrueshme pasditen e të martës sinoptikanët paralajmërojnë reshje të shiut, të cilat lokalisht do të jenë të dendura në formë stuhie, të përcjella me bubullima dhe erë të fortë. Dhe në ditët në vijim do të ketë reshje lokale shiu, ndërsa temperaturat nga e mërkura do të kenë rënie të ndjeshme.